Skandali në bashkinë e Selenicës evidentohet nga një raport auditimi I Kontrollit te Lartë të Shtetit ku konstatohet se Drejtoria e Zhvillimit të Bujqësisë dhe Administrimit të Pyjeve/Kullotave ka lidhur kontrata për përdorimin e sipërfaqeve kullosore pa patur të hartuar dhe miratuar planet e mbarështimit; – “Në nivel bashkie janë identifikuar në total 66,182 krerë bagëti. Është parashikuar që të lidhen kontrata dhe të jepen me qira sipërfaqe për 36,753 krerë bagëti, ndërsa për diferencën prej 29,429 krerë që janë të njohura nga bashkia nuk është parashikuar lidhje e kontratave për kullotje. Por Bashkia Selenicë ka lejuar 118 blegtorë të përdorin kullotat pa lidhur kontratat përkatëse. Këto blegtorë faturohen nëpërmjet prerjes së faturave për secilin prej tyre. Sipërfaqja kullosore e përdorur nga këto blegtorë është 2,615.5 ha.
Por jo vetëm për kullota, por dhe për fondin pyjor KLSH ka zbuluar në këtë bashki shkelje të shumta. Evidentohet fakti se Drejtoria e Zhvillimit të Bujqësisë dhe Administrimit të Pyjeve/Kullotave nuk ka dërguar për miratim në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit Projektin teknik të shëndetësimit të pyjeve për një ngastër pyjore ndërsa ka vijuar me procesin e prerjeve të lëndës drusore pa marrë miratimin nga Ministria e Turizmit. Edhe për disa ngastra të tjera mungon dokumentacioni që të jetë miratuar nga MTM . Është ngritur grupi i punës për të bërë verifikimin dhe damkosjen e pishave të rrëzuara në Ekonominë Pyjore Kotë-Sevaster, por në dosje nuk disponohet dokumentacion lidhur me përfundimin e këtij procesi.Madje në një rast subjekti “L.” SHPK në ngastrën nr. 16 dhe nr. 11 nuk ka respektuar kushtet e kontratës: janë vërejtur dëmtime të damkave dhe prerje të disa pishave të njoma pa damkë. Gjithashtu, është konstatuar se nga grupi i punës janë damkosur pisha të njoma të drejta që nuk janë objekt i projektit të përmirësimit të pyllit.