Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale pamje të marra nga fshati Zaloshnjë, pjesë e Parkut Kombëtar “Mali i Tomorit”, ku vihet re prania e ariut të murrmë dhe të vegjëlve të saj.
“Tashmë prej disa vitesh, bazuar nga gjurmët e hasura në zonë dhe nga kamerat e kurthit, ariu i murrmë ka gjetur habitatin e tij ideal në këtë zonë. Fakt të cilin e përforcon edhe rritja e numrit të popullatës së tyre, nga viti në vit”, theksoi AKZM.
Specialistët e AdZM Berat vendosën në mars të këtij viti kamera të reja për monitorimin e aktiviteteve jetësore të kafshëve në këtë park.
Parku i Tomorit ka një sipërfaqe prej 24 723 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Ai shtrihet në 2 qarqe të mëdha si ai i Beratit dhe i Elbasanit. Ai përbëhet nga 12 monumente natyrore, 2 biomonumente, 10 gjeomonumente, si dhe 125 burime natyrore.