Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zhvilluan sot një takim për përgatitjen e konceptit të një projekti mbështetës për financimin e bujqësisë.Ky proces synon të zhvillojë zgjidhje të qëndrueshme, duke mbështetur aksesin në financa për këtë sektor, jo vetëm nga fondet buxhetore, por dhe nga grumbullimi i fondeve private.
Në takim morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, drejtuesit e bankave tregtare, ekspertë të sektorit financiar dhe përfaqësues nga institucionet financiare në vend.Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se sektori bankar në vend është i mirëkapitalizuar dhe likuid, si dhe mbështetja e tij për sektorin privat ka ardhur në rritje. Megjithatë, ai shtoi se sektori financiar mund të luajë një rol më të rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme ekonomike afatgjatë në vend.
Në lidhje me aksesin në financë, Guvernatori u shpreh se në një pamje më të gjerë, është e rëndësishme të eksplorohen zgjidhje ndërsektoriale – përfshirë fintech, dixhitalizimin e shërbimeve financiare dhe instrumentet financiare inovative – të cilat do ta lehtësonin aksesin në shërbimet financiare. Financat e Gjelbra janë një fushë e rëndësishme që ka nevojë për veprim të shpejtë dhe të fokusuar për të adresuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, zbutjen e rreziqeve dhe kapjen e mundësive që ofron financimi i gjelbër.
Me qëllim mbështetjen e zhvillimeve të tregut, Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemeve të pagesave për prezantimin e standardeve të reja të komunikimit dhe shërbimeve, të cilat ndihmojnë në adresimin e nevojave infrastrukturore. Konkretisht, në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që, në vitin 2022, kjo shifër vlerësohet të ketë arritur nivelin 16 pagesa për frymë.
Guvernatori shtoi se kreditimi i ekonomisë është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Sektori bankar ka vijuar të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi, e konkretizuar me një rritje portofoli prej 14% të tij gjatë 2022. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme, i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.
Duke u ndalur më në veçanti te sektori i agrobiznesit, Guvernatori u shpreh se ai ka potencial të madh si në tregjet vendore ashtu edhe në ato të huaja, por vijon të ketë nevojë për adoptimin e teknologjive dhe proceseve të reja të prodhimit.Guvernatori Sejko u shpreh se problemet specifike të kreditimit të sektorit bujqësor janë evidentuar me kohë dhe një pjesë e tyre mbeten ende të pranishme.
“Megjithatë, disa prej tyre janë drejt adresimit, ndërsa pengesat e tjera duhet të jenë pjesë e një vlerësimi kritik dhe zgjidhja e tyre duhet të jetë pjesë integrale e agjendave tona të punës në të ardhmen. Në këtë kontekst, pa cenuar treguesit e tij të shëndetit, jam i bindur se sektori bankar do të dijë të pozicionohet si një agjent mbështetës zhvillimi. Ky sektor duhet të rrisë vëmendjen dhe kapacitetet e tij financuese, analizuese dhe këshilluese, duke përmbushur misionin e tij në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit,” tha Guvernatori.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi mundësitë dhe mbështetjen e përbashkët për rritjen e kreditimit të bujqësisë, si një mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, diversifikimin e burimeve të rritjes ekonomike, por edhe si një mundësi për diversifikimin e burimeve të rrezikut të kredisë për sektorin financiar..MONITOR