Vijon prishja e ndërtimeve pa leje në Shkodër. Këtë të mërkurë, IKMT dhe IMT e Bashkisë Shkodër, me mbështetjen e forcave të policisë, kanë zbarkuar në Shirokë, për të shembur një subjekt, i cilësohet si ndërtim pa leje.
Aksioni ka nisur që në orën 7 të mëngjesit, ndërkohë që i gjithë objekti u rrethua nga forca të shumta të policisë së Shkodrës.
Pronarët e subjektit kanë kundërshtuar këtë vendim, teksa i janë drejtuar IKMT duke i thënë se njoftimi u ka shkuar shumë vonë dhe sipas tyre ndërhyrja për prishje është e paligjshme.
Ky është objekti më i madh që shembet nga IKMT në këtë zonë, ndërkohë që pak ditë më parë është shembur një tjetër objekt në afërsi të zonës së Zogajve.
Mësohet se në total, në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër, janë 48 objekte që do ti nënshtrohen prishjeve me shkresë të IKMT dhe kryeinspektorit Agim Ismaili.