Prej më shumë se 3 muajsh rreth 1500 banorë të fshatit Sheqeras të Bashkisë Maliq gjenden nën pushtetin e mjegullës nga djegia e torfës. Djegia e tokës torfike në bashkinë e Maliqit e nisur prej muajit korrik vazhdon të shkaktojë një situatë alarmante të ndotjes mjedisore çka i ka detyruar banorët e fshatit Sheqeras të protestojnë për shkak se situata e shkaktuar po e bën fshatin të pajetueshëm. Problematika pranohet nga kryetari i Bashkisë Maliq Gëzim Topçiu i cili thotë se situata mbetet e vështirë pavarsisht përpjekjeve, pasi torfa ka veçori të digjet deri në 3 metra thellësi dhe nuk ka një vatër të caktuar.Banorët ankohen duke thënë se era e rëndë dhe smogu pushtojnë fshatin e tyre duke i detyruar të përdorin maska çdo mëngjes dhe të ndiejnë frikë për jetën e tyre dhe të fëmijëve. Ata kërkojnë një zgjidhje nga institucionet të cilat deri tani nuk kanë marrë masa pët parandalimin e saj.Edhe fëmijët të cilët shkojnë çdo ditë në shkollë shprehen se kjo situatë u shkakton problem duke mos i lejuar të hapin dritaret gjatë orës së mësimit. Kjo situatë është e mbartur që prej stinës së verës dje duket se zgjidhja e vetme mbetet fillimi i rreshjeve të shiut. Në këtë bashki janë rreth 5000 hektarë tokë torfike.