Ka disa muaj që çmimi i një prej produkteve më të njohura të eksportit të Greqisë djathi “Feta” është rritur për shkak të inflacionit me të paktën 40% duke u bërë një ushqim luksi për njerëzit në nevojë, por përmbytjet katastrofike të muajit të kaluar i kanë dhënë një goditje tepër të fuqishme edhe prodhimit të tij.
Fermerët e Thessalisë, të cilët prodhojnë rreth 40% të djathrave të buta në vend nga qumështi i dhisë dhe deles, janë tashmë të gjunjëzuar, pasi kalimi i dy stuhive në këtë rajon që është zona më e rëndësishme bujqësore dhe blegtorale e Greqisë ka sjellë rezultatin katastrofik të humbjes së mbi 80.000 kokë bagëtish të imta.
Shumë biznese të vogla e kanë tepër të vështirë të mirëmbajnë kafshët që mbijetuan si për shkak të ujit të ndotur, ashtu edhe për shkak të ushqimit të pakët. “Fermerët e rajonit thonë se pas përmbytjes dhe dëmeve që përllogariten në miliona euro , nuk duan të kthehen në profesionin e tyre”, ka deklaruar për Financial Times, Christos Apostolopoulos, president i Shoqatës së Industrisë Greke të Qumështit. Greqia prodhon afërsisht 140 mijë tonë djathë “Feta” në vit, nga të cilat afërsisht 65% eksportohet dhe prodhuesit që së shpejti do të kenë më pak qumësht do të zgjedhin vetëm eksportin, me pasojë çmimi i djathit që do të shitet në vend të rritet edhe më shumë.
Vetëm kompania Hellenic Galaktokomeia në Trikala, fabrika më e madhe e “Fetës” në Greqi,u mbyll për dy javë pasi uji dhe balta mbuluan makinerinë dhe shkaktuan rreth 25 milionë euro dëme. Sipas BBC dy stuhitë që goditën zonën shkaktuan mbi 5 mld euro dëme, ndërsa ndihma që BE ka vendosur për Greqinë nga fondet emergjente shkon deri në 2.25 mld euro.
Rreth një e katërta e tokës së përdorur për bujqësi dhe prodhim industrial në Thesali u përmbyt dhe ka të ngjarë të mos jetë pjellore për vitet në vijim, ndërsa u shkatërruan qindra ndërtesa, shumë ura dhe pjesë të rrjetit hekurudhor dhe rrugor të vendit. Në të njëjtën kohë, analistët paralajmërojnë për efektet afatgjata të motit të keq në ekonomi.