Fermerët e Topojës në Fier, zonë e njohur për kultivimin e drithrave , kane filluar plugimin e tokave të tyre bujqesore për t’i bërë gati për sezonin e ri të mbjelljeve, por ata po perballen me një problematike madhore, mbetjen stok në magazina te prodhimit të sezonit të kaluar.
Nje prej kultivuesve më të mëdhenj në zonë, Mili Sako pohon se në magazinat e tij i ka mbetur stok 80 ton grurë për shkak të mungesës së kërkesës nga fabrikat e miellit teksa thekson se kjo situatë e ka venë në vështirësi të mëdha financiare. Po sipas tij kjo është një problematikë e gjithë fermerëve të zonës të cilët vecanërisht tre vitet e fundit po punojnë në kushtet e mbijetesës.
(6) Tonelata të mbetur stok, por fermerët e Topojës nuk heqin dorë nga gruri – YouTube
Nderkohë një prej fermerëve të rinj Vilson Sika pohon se situata sa vjen e po bëhet më e veshtirë duke i detyruar të rinjtë e zones te largohen nga vendi. Ai pohon se ka kultivuar 10 ha grure , por nuk eshte subvencionuar asnjëherë sepse nuk ka numër nipti. Pavaresisht kesaj fermeri Sika vazhdon te punoje duke mbjelle siperfaqe te reja edhe ne kete sezon te ri mbjelljesh.
Nderkohe fermeri Sika pohon se pervec grurit në magazinat e tij ka mbetur stok edhe 150 ton tërshërë, 50 ton elb, dhe 50 ton misër. Sipas tij mungesa e shoqatave të fermerëve i ka penalizuar shumë, pasi zeri i tyre nuk dëgjohet.
Për shkak të rritjes së lartë të çmimit të drithërave vitin e kaluar në tregjet e huaja të ndikuara nga lufta Rusi-Ukrainë, Ministria e Bujqësisë nxiti fermerët me subvencione direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për hektar për shtimin e sipërfaqeve të mbjella.
Por kur e gjithë kjo mbështetje rrezikohej të kthehej në bumerang, pasi çmimi i grurit në bursat e huaja filloi uljen e çmimit nën koston e prodhimit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në një takim të zhvilluar me kompanitë e blojës, u kërkoi atyre që të blejnë grurin vendas, si zgjedhjen primare të lëndës së parë për fabrikat e tyre të blojës së miellit dhe prodhimit të bukës.
“Kemi rënë dakord së bashku që, prioritet në këtë sezon të korrjeve të grurit do t’i japim mbështetje prodhimit vendas dhe fermerëve tanë, të cilët na kanë dëgjuar dhe janë orientuar drejt prodhimit të grurit gjatë sezonit të kaluar”, pohoi më herët ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.
Tashmë kur sasia e grurit vendas të grumbulluar nga kompanitë e blojës është shumë e ulët, Ministria e Bujqësisë shikon si zgjidhje të shpejtë të situatës për fermerët shqiptarë rritjen e çmimit të grurit në bursat e huaja, për shkak të rrezikut të tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e Detit të Zi.
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Programeve të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, Irfan Tarelli, tha për “Monitor” se institucionet shtetërore janë duke monitoruar çdo ditë situatën për ecurinë e çmimeve të grurit në tregun vendas dhe veçanërisht në bursat e huaja.
Në lidhje me masat për grumbullimin e grurit nga institucionet shtetërore, ose blerjen e tij nga fermerët për rezervat e shtetit, deri në stabilizimin e tregjeve, të cilat zbatohen edhe nga Maqedonia e Veriut, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit Rural pohoi se kushtëzohen nga pamundësia financiare.
“Gruri nuk është një kulturë me avantazh konkurrues, sepse kushtëzohet nga ekonomia e shkallës. Gjithashtu, shumë fermerë në vend janë të detyruar të mbjellin grurë të kushtëzuar nga tipologjia e tokës për zona të caktuara, pasi nuk mund të mbjellësh kulturë tjetër bujqësore. Pjesa tjetër e mbjellin për vetëkonsum, si dhe për ushqim për kafshët.
Masa e posaçme subvencionuese erdhi pas sulmit rus ndaj Ukrainës e cila shkaktoi rritje të menjëhershme të çmimit të drithërave, por edhe mungesë të produktit. Përballë kësaj situate, ne ndoqëm politikat subvencionuese që i zbatuan edhe shumë shtete të tjera, që të nxisnim prodhimin te fermerët, të cilët u prekën nga kostot e larta, por edhe të ruanim pavarësinë ushqimore”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në total u mbështetën me subvencione 4 mijë fermerë, me një fond prej 5 milionë USD. Ndërsa u shtuan rreth 2,500 ha me të mbjella më shumë se viti 2022. Për këtë vit, totali i të mbjellave me grurë arriti në 57,500 hektarë.