Banorët e njësisë administrative Fierzë në Tropojë sot janë ngritur në protestë kundër shfrytëzimeve pa kriter të materialeve inerte anës rrugës dhe ndërtimit të fabrikës së bitumit, pranë ujësjellësit të kësaj njesie, vetëm 50 metra largë rrugës nacionale Fierzë-Sheshi Trageteve-Bajram Curri.
Sipas banorëve këto gurore po dëmtojnë edhe turizmin duke shkaktuar ndotje të ambjentit e shkatërrim të habitatit natyrore të maleve.
Banorët janë ngritur disa herë në protestë, por puna në njërën nga guroret nuk është ndërprerë, ndonëse banorët thonë se ata nuk kanë asnjë dokumentacion ligjor për të ushtruar këtë aktivitet.
Banorët ngrejnë edhe shqetësimin e fëmijëve që shkojnë në shkollë nga kjo rrugë, ndiejnë rrezikun nga makinerit e rënda që transportojnë materialet inerte. Ndërkohë edhe turizmi malor është i kërcënuar, siç është rasti i Bujtinës Adora, e cila prej vitesh ushtron aktivitetin e saj turistik, por në hyrje të këtij resorti guroret bëjnë gërmimin e faqes së malit, duke shkaktuar zhurma, pluhur e shqetësime për turistët.
Protestuesit kërkojnë nga organet ligjzbatuese të ndërpresin menjëherë këtë aktivitet të paligjshëm e situata të kaloj në normalitet.