Abdulla Diku
Prej vitesh bjeshkët e Tropojës i janë zbuluar vizitorëve. Të lidhura me një rrugë për mjete 4×4 dhe kamionë, destinacioni është i përshtatshëm vetëm për persona që kanë mjete të tilla. Ndërkohë, vizitorët e huaj janë më të shumtë gjithmonë. Ndryshe nga shqiptarët, ata preferojnë vetëë ecjen në këmbë. Kështu shijohen këto pamje, thonë. Disa mjete të rralla të tipit ‘kamper’ po duken edhe andej, nga Alpet tona.
Teksa len pas luginën e Valbonës, mjeti udhëton ngadalë drejt fshatit piktoresk të Çeremit. Deri në Çerem rruga është disi më e mirë, por më tej, drejt bjeshkëve të famshme të Dobërdolit rruga është vërtet e mundimshme. Nga Çeremi në Dobërdol (Dobërdol – në shqip ka kuptimin ‘Lugina e bukur’) distanca është rreth 20 km por duhen sëpaku 2.5 orë për ta përshkuar me makinë.
Mund të ndalosh e të rrish aty në Çerem se një luginë e vogël akullnajore ku është vendosur fshati krijon një pamje vërtet piktoreske. Por, meqenëse po flasim për bjeshkë, duhet të vazhdojmë më tej. Pasi kalon Çeremin fillon e ngjitesh për në Markofçe. Bjeshkët e famshme dikur ishin të mbuluara vetëm nga kullotat dhe Boronica. Por këto 20 vitet e fundit, boronica po i len vendin gradualisht Arrnenit (Pinus peuce). Kjo vjen prej ngrohjes së klimës përgjithësisht, ku siç parashikohet, brezi i kullotave Alpine do vijë gjithnjë duke u ngushtuar pasi llojet pyjore do të ngjiten më në lartësi. Këto bjeshkë bëjnë pjesë në pellgun e Valbonës pasi ujrat zbresin drejt Çeremit dhe derdhen në Valbonë.
Ka stane ngado. Sejcili përdorues i kullotës aty ka dhe vendin ku tradicionalisht ka patur një stan. Shumica e banorëve janë kthyer dhe kanë ri-ndërtuar stanet e tyre këto vite.
Lartësia e bjeshkëve këtu është rreth 1600-2100 metra. Thuajse çdo stan tashmë pret dhe pak viziorë. Numri i personave që mund të akomodohen luhatet nga 4-8 persona, por dikush ka ndërtuar edhe pak më shumë se stani e mund të akomodojë edhe 30 persona apo dhe më shumë, për një natë.
Të gjithë stanet kanë një të përbashkët; kuzhinierët për familjet dhe vizitorët janë nënat apo gjyshet. Edhe pse në pension apo afër pensionit, janë ato amvisat që lenë gojëhapur vizitorët me gatimet e tyre. Ushqimi tradicional në male është flija dhe byreku. Së fundmi po shërbehet gjithnjë e më shumë edhe keku me boronicat e mrekullueshme të zonës. Edhe mishi është pjesë e menysë por vetëm nëse porositet paraprakisht dhe ka një numër të paktën 10 vizitorë a më shumë. Kjo sepse zona nuk ka energji elektrike dhe ruajtja e mishit (sasisë që nuk konsumohet) është e pamundur tani në verë.
Pija më e preferuar dhe që ofrohet më shumë është rakia. Gjen thuajse të gjitha llojet e sajë; thane, rrushi, manaferra, boronica dhe më e zakonshmja – rakia e famshme e kumbullave të Tropojës.
Pas bjeshkëve të Markofçes mund të kthehesh në të majtë për të udhëtuar drejt Dobërdolit dhe më tej drejt Sylbicës. Opsioni tjetër është udhëtimi drejt bjeshkëve të Mullafcit. Mjaft të bukura po ashtu. Por ne ishim të detyruar të udhëtonim drejt bjeshkëve të Trokuzit dhe më pas ato të Koshuticës (Koshutica në shqip ka kuptimin e drenushës, pra bjeshkët e Drenushës). Bjeshka e Koshuticës ndahet në dy pjesë; Koshutica e sipërme, e cila është përgjatë rrugës nga Trokuzi drejt Dobërdolit. Ky është edhe segmenti më i keq i rrugës. Nuk të mbetet pjesë trupi pa u shkundur nga tronditja e rrugës. Për të vajtur në Koshuticë, rruga shtrihet përgjatë kufirit shtetëror me Malin e zi. Madje në disa raste rruga është edhe kufiri tashmë. Në pak metra, rruga futet paksa edhe në Malin e zi. Ndoshta ky është edhe rasti kur mund të bësh vizitën më të shkurtër të mundëshme në një vend tjetër për pak sekonda, dhe pa patur nevojën e paraqitjes së një dokumenti identifikues. Ndalesën e parë e bëjmë tek stani i Metit. Një djalë i ri dhe mjaft i shkathët, i cili dhe pse e takon në 7 të mëngjesit, ndërsa flet me ty, atje brenda stanit, pa dijeninë tënde ka filluar gatimi i mëngjesit. Çaji i bjeshkëve (rigoni i kuq) është pija e parë që ofrohet. Në pak minuta vjen dhe mëngjesi. Dy vizitorë nga Gjermania teksa dëgjojne zhurmën tonë dalin nga tendat e tyre dhe bëhen gati për udhëtim. Do udhëtojnë në këmbë drejt Gjeravicës (maja më e lartë në Dardani).
Meqenëse jemi dhe vetë për rrugë, me gjithë insistimin e Metit që të rrimë dhe pak, e lëmë stanin me premtimin se do kthehemi në darkë. Në fakt, duhet thënë që teksa udhëton në bjeshkë të tilla e male të thepisura, nuk duhet të bësh kurrë premtime për orën e saktë kur mund të kthehesh. ‘Të han mali’- thonë. Të ‘han’ kohën, energjinë, mundësinë dhe planifikimin që ti bën. Të përthith dhe zor të dalësh nga vorbullat e Bjeshkëve të namuna.
Pas pak minutash arrijmë në bjeshkët e Koshuticës së epërme, tek stani i familjes Braha. Njerëz të mrekullueshëm dhe tejet mikrpitës. Teksa sheh sjelljen e tyre ndaj vizitorëve mendon se duhet të kenë bërë shkollë vetëm për mikpritjen. Në stan, familja e vendosur aty është e zënë me punë. Gjithkush ka një rol për të bërë dhe plot detyra gjithë ditën. Dikush mbledh çaj, për ta konsumuar me vizitorët apo shitur. Mbledhja e Boronicës është dhe aktiviteti kryesor në këtë periudhë. Neve na ofrojne sërish çaj dhe raki. Stani ka vend për akomodimin e rreth 20-25 personave aty. Na lutem shumë që të hamë mëngjes sërish (dy të ngrëna të bëjnë mirë – thotë sovrani) por ne përveçse hëngrem tek Meti, morëm dhe me vete më shumë se gjysmën e byrekut që teproi. Ndaj, mezi ikim prej insistimit për të na ofruar sërish mëngjes. Një nga djemtë (Luani) e familjes do vijë me ne. Shtigjet prej vitesh janë mbuluar nga bimësia dhe nuk duken më. Nuk shkojnë vizitorët në atë drejtim pasi duhen 2-3 ditë rrugë në këmbë. Tashmë asnjë guidë nuk i gjen dot. Vetëm banorët e zonës që e kanë bërë me qindra herë e dinë atë rrugë. Nga Koshutica e epërme duhet të zbresim drejt Koshuticës së poshtme. Ka një zbritje prej rreth 500 metra dhe Luani ma thotë që e bëjmë për rreth 30 minuta. Kështu na than edhe banorët e tjerë në stan. Bëhet për 30 minuta…
Por ka një problem në këto raste. Banorët thonë kohën që e bëjnë ato. Për ne, koha është më shumë se dyfishi dhe kjo të prish krejt planet e udhëtimit.
Pasi zbresim në Koshuticë të poshtme, e vendosur në breg të lumit të Gashit, gjejmë dy stane aty. Sërish ftesa dhe insistime për të hyrë në stane e për të pirë një kafe, raki apo për të ngrënë mëngjes…(ftesa e tretë në pak orë për të ngrënë mëngjes).
Më tej, udhëtimi vazhdon drejt destinacionit…
Planifikimi jo i mirë i kohës bën që të mos arrijmë objektivin. Kemi ecur thuajse 10 orë, por na duheshin sëpaku edhe 5 ore të tjera në dispozicion për tek destinacioni që donim të shkonim. Bëjmë veprimin më të drejtë të ditës – vendosim të mos vazhdojmë më, por të kthehemi…
Në darkë sërish tek stani i familjes Braha. Mirëseardhja e fjalëve shoqërohet nga caji dhe rakija. Të zotët e stanit janë të rraskapitur për vete, por me ne tregohen sikur sapo ka nisur dita për to, plot gjallëri e buzëqeshje. Ju ikën lodhja si me magji. Në tavolinën ku rrimë tek stani ka një listë çmimesh. Megjithëse bëmë ‘kërdinë’ duke pirë çaj dhe raki (të duken aq të shijshme pas një lodhje të tillë…) nuk pranojnë të paguajm. Jeni miq – na thonë. Po stanin për vizitorë e keni – argumentojmë ne. Po, por nuk marrik dot lek….
Pak a shumë kështu jan malësorët këtej. Të presin dhe ofrojnë gjithçka kanë. Sillen aq miqësisht a thua se ke një jetë që i njeh. Kujdesen për ty për çdo gjë.
Jam i sigurt që shumë stane të tilla thuajse nuk fitojnë asgjë. Ato ju ofrojnë vizitorëve ushqim e pije por dhe akomodim, por nuk ndihen mirë t’ju marrin lek… Rëndësi ka që erdhët, ndejtët dhe folëm bashkë – na thonë…
Edhe pse rropaten gjithë ditën (për vizitorët, qëndrimi në stan është një pjesë e kënaqësisë së tyre) për hir të emrit të familjes, respektojnë vizitorët duke ju shërbyer e më së shumti duke mos ju marrë edhe lekët e shpenzimeve të paktën.
Malësorë tipikë, ku edhe fëmijët mundohen tju ngjajnë të rriturve. Flasin, shprehen dhe sillen thuajse njëlloj si ato. Nëse i gjen dhe ato vetëm në stan, sikurse me prindërit e tyre do të duhet të bësh shumë negociata për të paguar…
Vërtet që malësorët thuajse nuk fitojnë asgjë prej turizmit në këto bjeshkë, por për mua mbeten ambasadorët më të mirë të Shqipërisë ndaj vizitorëve të huaj por dhe vendës. Nëse mikpritja është shkruar dekada e shekuj më parë në dokumentat tona shqipe, nëse me të jemi mburrur e vazhdojmë ta bëjmë, në Alpet shqiptare është universiteti i vërtetë i kësaj fjale. Më shumë se kudo tjetër, këtu mikpritja është vetë identiteti shqiptar.
Për shkak se kanë ujë kudo, janë në lartësi të madhe dhe të vendosura në zemër të Alpeve, bjeshkët tashmë janë nën presion të madh. Qarkullimi i mjeteve jashtë rrugëve ka bërë që mbulesa me bar dhe boronicë të zhduket dhe bjeshkët të fillojnë të degradohen. Vende-vende erozioni po tjetërson krejt peizazhin e Alpeve tona. Për shkak të reshjeve intensive në këto lartësi si dhe pjerrësisë së madhe të terrenit, erozioni është më i fuqishëm se kudo tjetër. Alpet shqiptare janë masivet malore më të vjetra (pas Korabit) në trojet tona. Historia gjeologjike e territorit atje daton që nga periudha Paleogjene, pra është më shumë se 50 milion vjeçare (koha kur zona ka dalë mbi ujin e detit të kohës. Dhe veçanërisht peizazhi që ne shohim sot në ato Alpe është së paku që nga periudha Kuaternare (2.5 milion vite më parë). Dhe atë skalitje të kujdesshme miliona vjeçare të peizazhit po e prishin ca mjete 4×4 apo disa persona të papërgjegjshëm. Ca nga padija e ca nga mungesa e vëmendjes ndaj zonës.
Fatkeqësisht askush nuk po ven ujin në zjarr për këtë gjë.
Natyrës do ti duhen sërish shekuj a mijëravjeçarë për të korigjuar gabimet tona njerëzore.
Ndaj, që këto bjeshkë të vazhdojnë të ekzistojnë për ne, duhet të kujdesemi shumë duke e mbrojtur atë copë territori që ka mbetur ende aq i bukur.