Delegacioni i BE në Tiranë ka konfirmuar lajmin se Komisioni Europian ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Delegacioni i BE shprehet për Fax News, se pezullimi i granteve është bërë pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.
REAGIMI I DELEGACIONIT TË BE PËR FAX NEWS:
Ne vijim eshte pergjigja e Delegacionit te Bashkimit Evropian pas pyetjes suaj mbi fondet IPARD:
„Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.
Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.”