Abdulla Diku
Zambakët – dashuria e njerëzve dhe armiku i maceve
___
Zambakët janë ndër lulet më të bukura dhe më të dashura për njerëzit por kanë një të ‘metë’ të madhe; janë shumë helmuese për macet.
Macet janë krijesa kurioze nga natyra. Ata pëlqejnë të luajnë, të kërcejnë dhe të bredhin nëpër shtëpi ose oborr, por ndonjëherë personalitetet e tyre kureshtare mund të rezultojnë fatale. Ata thjesht tërhiqen psh. nga një buqetë e bukur me zambakë në tryezën tuaj apo në kopshtin tuaj. Luajnë me të dhe…e pësojnë!
E gjithë bima e zambakut është toksike: kërcelli, gjethet, lulet, poleni, madje edhe uji në vazo. Ngrënia e vetëm një sasie të vogël e një gjetheje ose petali luleje, lëpirja e disa kokrra poleni nga gëzofi i maces gjatë fërkimit, ose pirja e ujit nga vazo mund të bëjë që macja juaj të përballet me dëmtim fatal të veshkave në më pak se 3 ditë.
Në raste të kontaktit të maces me zambakun, vdekshmëria është midis 50-100%. Ndërhyrja e hershme (nëse dyshihet për gëlltitje ose trajtim të menjëhershëm kur vërehen shenjat klinike për herë të parë) rezulton në një shkallë mbijetese prej 90%. Kështu që sigurohuni që macja juaj të qëndrojë larg zambakëve nëse ju dhimbset sadopak.
Shenjat e hershme të toksicitetit të zambakëve te macet përfshijnë uljen e nivelit të aktivitetit, jargëzim, të vjella dhe humbje të oreksit. Këto simptoma fillojnë 0 deri në 12 orë pas kontaktit me lulen. Shenjat e dëmtimit të veshkave fillojnë rreth 12 deri në 24 orë pas kontaktit dhe përfshijnë urinim të shtuar dhe dehidratim. Dëmtimi i veshkave ndodh brenda 24 deri në 72 orëve, duke çuar në vdekje nëse macja nuk trajtohet. Trajtimi i hershëm veterinar përmirëson shumë prognozën e maces. Megjithatë, nëse trajtimi vonohet me 18 orë ose më shumë pas kontaktit, macja në përgjithësi do të ketë dështim të pakthyeshëm të veshkave e për rrjedhojë do rezultojë në fatalitet.
Disa zambakë përmbajnë gjithashtu toksina që shkaktojnë aritmi dhe me tej arrest kardiak tek macet.
Paradoksalisht, zambakët nuk janë aspak të rrezikshëm për njerzit dhe qentë, por me macet nuk falin.
Ndaj duhet të zgjidhni me kujdes ndërmjet zambakëve dhe maceve. O njëri, o tjetri!