Ministria e Bujqësisë ka përgatitur gati draftin për përcaktimin e zonave të akuakulturës në Shqipëri. Drafti I hedhur për konsultim përcakton bazën e nevojshme ligjore për ushtrimin e veprimtarisë ekonomike të prodhimit dhe kultivimit të organizmave ujorë në fushën e akuakulturës në territorin e vendit.Dokumenti parashikon krijimin e katër nënzonave të mëdha (1) Shëngjini, (2) Durrësi, (3) Vlora dhe (4) Saranda për kultivimin e peshkut dhe molusqeve. Sa i takon Kategorisë 01 të ZPA-ve – peshqit, janë identifikuar në total 11 ZPA me një shtrirje totale prej 117.816 km2, dhe një prodhim potencial total vjetor të vlerësuar në 63,649 ton peshk, bazuar në kapacitetin mbajtës. Për Kategorinë 02 të ZPA-ve – molusqet, janë identifikuar gjithsej 7 ZPA me një shtrirje totale prej 108.791 km2.
Zonat e Përcaktuara për Akuakulturën (ZPA) në Shqipëri
Akuakultura në Shqipëri, si kudo në botë, përfaqëson një sektor të rëndësishëm dhe zotëron një potencial të madh për komunitetet bregdetare. Për më tepër, ajo mund të sigurojë përfitime të shumta për sa i përket të ushqyerit të mirë, dhe të sjellë rezultate pozitive social-ekonomike. Prodhimi i përgjithshëm nga uji i ëmbël, uji i njelmët dhe mjedisi detar, është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit nga 3,450 ton në vitin 2012 në 6,258 ton në vitin 2018 dhe ka një vlerë rreth 22 milionë USD
Pavarësisht nga rritja e prodhimit të akuakulturës gjatë viteve të fundit, bilanci tregtar neto për Shqipërinë mbetet në favor të importit. Shqipëria është një importuese neto e produkteve të peshkimit për të përmbushur kërkesën e brendshme. Në mënyrë të veçantë, dhe sipas statistikave të FAO, në dekadën 2009-2018 u tejkalua bilanci neto mesatar vjetor i produkteve të peshkimit – 6,200 tonë me një maksimum prej 8,276 ton në vitin 2018 (© FAO, 2011-2020). Sipas statistikave të FAO, konsumi i dukshëm vjetor për frymë i peshkut dhe produkteve të peshkimit është ende i ulët në Shqipëri (8.6 kg) krahasuar me të gjithë Evropën (21.5 kg) në vitin 2017
Prodhimi kombëtar i aktivitetit të peshkimit varion midis 7,800 dhe 8,600 ton në vit2011-2020) me një vlerë në hallkën e parë të shitjes prej rreth 23.56 milionë USD në vitin 2016. Sidoqoftë, ky prodhim nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën kombëtare, dhe për pasojë Shqipëria importon produkte detare të akuakulturës, kryesisht kocë dhe levrek. Me rënien e nivelit të prodhimit vendas nga aktiviteti i peshkimit, zhvillimi i mëtejshëm i akuakulturës mbetet mënyra e vetme për të siguruar një prodhim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm të produkteve të peshkimit në Shqipëri.
Aktualisht, sektori i akuakulturës në Shqipëri gjeneron rreth 600 vende pune të drejtpërdrejta, duke përfshirë punën me kohë të plotë dhe të pjesshme, si dhe të gjitha punësimet indirekte në aktivitetet ndihmëse ekonomike përgjatë zinxhirit të vlerës (p.sh. përpunimi, shpërndarja, shitja me pakicë, paketimi, pajisjet, industria e ushqimit, shërbimi ushqimor, turizmi, etj.). Shqipëria ka një potencial të madh për të zhvilluar më tej sektorin duke pasur parasysh disponueshmërinë e zonave bregdetare në të cilat mund të zhvillohen aktivitetet e akuakulturës në ZPA-të për prodhimin e peshqve dhe të molusqeve. Një zgjerim i sektorit të akuakulturës do të gjeneronte punësim të mëtejshëm direkt dhe indirekt në të gjithë zinxhirin e vlerës, ndërsa në të njëjtën kohë do të kontribuonte në rritjen e marrjes së proteinave nga produktet e shëndetshme të peshkimit.
Akuakultura: Një Vështrim në Nivel Global dhe Rajonal
Sipas statistikave të FAO, në vitin 2018 prodhimi total i akuakulturës botërore arriti në 82.1 milionë ton gjallesa ujore, me një vlerë totale të shitjes tek “porta e aktivitetit = te prodhuesi ” prej 250.1 miliardë dollarësh (FAO, 2020) Prodhimi botëror i akuakulturës së gjallesave ujore të kultivuara u rrit mesatarisht me 5.3 për qind në vit në periudhën 2001–2018 (FAO, 2020). Kontributi i tij në prodhimin global të peshkut arriti 46 përqind në 2018, nga 25.7 përqind në 2000, ndërsa parashikohet të jetë 53 përqind deri në 2030 (FAO, 2020). Akuakultura i ka bërë peshqit dhe prodhimet e detit më të arritshme për konsumatorët në të gjithë botën, dhe duke qenë se është një mënyrë më efikase për të kthyer proteinat ushqyese në proteina ushqimore krahasuar me kostot e proteinave të tjera të ushqimit nga kafshët, akuakultura do të luajë një rol më të rëndësishëm në ushqimin e popullsisë globale që pritet të arrijë në 9 miliardë deri në vitin 2050 .
Ndërkohë që industria e akuakulturës vazhdon trendin e saj afatgjatë të rritjes pozitive, prodhimi global nga aktiviteti i peshkimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm që nga fundi i viteve 1980, me prodhim vjetor që, në përgjithësi luhatet mes 86 milionë ton dhe 93 milionë ton, megjithëse në vitin 2018 u arrit niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, 96.4 milionë ton (FAO, 2020).
Në vendet kufitare të Mesdheut dhe Detit të Zi, akuakultura ka pasqyruar trendin global të rritjes me rritjen e prodhimit nga 1,118,000 ton në vitin 1998 (me vlerë 2,5 miliardë dollarë) në 3,030,000 ton në vitin 2018 (me vlerë 6,8 miliardë dollarë). Më shumë se 100 lloje kultivohen në ujëra të ëmbla, ujëra të njelmët dhe mjedis detar duke gjeneruar më shumë se 500,000 vende pune direkte dhe indirekte.
Nga ana tjetër, në Mesdhe dhe në Detin e Zi prodhimi i peshkimit arriti vlerën e tij më të lartë prej rreth 1,800,000 ton në mes të viteve tetëdhjetë, dhe që atëherë ka rënë nga një mesatare vjetore prej 1,473,429 ton në vit për periudhën 2000-2013, në një mesatare prej 1,220,000 ton në vit për periudhën 2014-2018. Akuakultura po bëhet gjithnjë e më shumë një aktivitet plotësues për aktivitetin e peshkimit në det, si një burim i qëndrueshëm i proteinave dhe një aktivitet kryesor për të garantuar sigurinë ushqimore.