Kuvendi nis këtë të martë, konkretisht Komisioni I Veprimtarive Podhuese diskutimin e p/ligjit “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, i cili finalizon këtë proces që zvarritet prej vitesh.
Efektet e pritshme të projektaktit, së bashku me aktet nënligjore në zbatim të tij, krijojnë kushtet që personat që kanë privatizuar objekte të ish-ndërrmarrjeve bujqësore dhe i posedojnë ato, por nuk janë regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe nuk janë pajisur me dokumenta pronësie, të përfundojnë procesin dhe objektet të regjistrohen dhe pajisen me dokumentacion pronësie. Për sa i përket numërit, rezultojnë afërsisht 1100 objekte, për të cilat nuk ka përfunduar procesi i privatizimit, ku mund të jetë një objekt i veçantë apo një pjesë e tij (këto objekte i përkasin ish NB-ve dhe Ndërmarrjeve Bujqësore të Braktisura).
Referuar projektligjit, objektet e mbetura pa përfunduar procesin e privatizimit mund të jenë në fazat kur për një pjesë ka përfunduar procesi i likujdimit, për disa mund të jetë nënshkruar kontratë shitje, por pa formën e kërkuar nga ligji (të lidhura para noterit) dhe për disa objekte megjithëse janë kryer pagesat nuk është nënshkruar kontrata e shitjes. Projektligji përcakton institucionet që do të kenë si detyrë përfundimin e këtij procesi dhe parashikon zgjidhjen e problematikave që kanë dalë në pah deri më tani. Sipas draftit, subjektet paraqesin në Ministri kërkesën për përfundimin e procesit, e cila i kërkon Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, sipas qarkut ku ndodhet objekti për të cilin është bërë kërkesa për përfundimin e procesit të privatizimit.