5 çifte folezues të Kalit të Qyqes janë rikthyer tashmë në territoret e tyre të folezimit, në Parkun Kombëtar “Lumi i Vjosës”.
Ky ishte rezultati paraprak i një monitorimi intensiv të kryer në mes të prillit 2023 në 7-të prej vendfolezimeve tradicionale të kësaj shkabe të rrezikuar në rang kombëtar dhe global. Lajmin e bëri të ditur Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që në një postim në rrjetet sociale vuri në dukje se ky rezultat pritet të rritet në vizitat e rradhës në territoret e folezimit. “Theksojmë se Kali i Qyqes është shkaba e vetme folezuese në vendin tonë, me një popullatë mjaft të kufizuar, e cila qëndron ende besnike e territoreve të folezimit përgjatë luginës së Vjosës, duke i shtuar hiret kësaj perle të natyrës shqiptare”, theksoi AKZM. Vitin e shkuar pupullata e kalit të qyqes në Shqipëri përbëhej nga 6 çifte folezues dhe 2 individë të vetmuar. Ndërsa në Ballkan kjo popullatë përfaqësohej nga më pak së 50 të tillë. Si çdo vit, AdZM Gjirokastër së bashku me ekipin e AOS, Klubin e të rinjve CYC Gjirokastra dhe komunitetin lokal do të vazhdojë monitorimin e popullatës së Kalit të qyqes, me qëllim arritjen e rezultateve përfundimtare dhe parandalimin/minimizimin e rreziqeve që mund t’i kanosen kësaj popullate përgjatë gjithë sezonit të folezimit.