Zbuloni Parkun Kombëtar të Zall Gjocaj në Mat (FOTO)

0

Parku Kombëtar Zall-Gjocaj shtrihet në Trevën e Matit brënda territorit të Bashkisë Mat të qarkut Dibër. Parku Kombëtar Zall Gjoçaj ka një sipërfaqe prej 140 ha, është shpallur me V.K.M nr.102 datë,15.01.1996 dhe mbrohet me ligj-Kategoria (II). Dallohet për një biodiversitet me vlerë ndërkombëtare, larmi habitatesh, llojësh bimore e shtazore dhe pjesë të pyjeve natyror, livadhe, përrenj etj. Në park takohen shoqërime me llojet halorë, ndër më të pasurit e vendit tonë. Grumbuj pyjorë të përbërë nga ahu (Fagus sylvatica), arneni (Pinus peuce), rrobulli (Pinus leucordemis), bredhi (Abies alba), hartina (Pinus silvestris), pisha e zezë (Pinus nigra) dhe rrallë tisi (Taxus baccata). Shumë rrallë takohen shkurre si xerxele e rëndomtë (Daphne mezereum), boronica (Vaccinium myrtillus) dhe grathata (Erica herbacea). Në territorin e parkut rriten mjaft bimë të rralla e të kërcënuara, bimë endemike e subendemike si boshtra (Forsythia europaea), rudithi Shqiptar (Brachypodium albanicum), lule togëzi (Digitalis lutea), gentiana (Gentiana lutea), lule balsami (Hypericum perforatum), rigoni i kuq (Origanum vulgare var.), salepet (Orchis sp.), lekoni i verdhë (Nyphar luteum) etj. Fauna e parkut është tipike e zonave malore. Takohen gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), rrëqebulli (Felis lynx), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus), derri i egër (Sus scrofa), etj. Ndër shpendët veçohet shqiponja (Aquila chrysaetos), gjeli dhe pula e egër (Tatrao urogallus), skifterët (Falco sp.) etj., rrëshqanorët e amfibët si e bukura e dheut, tritoni i alpeve, bretkoca e drurëve, etj. Parku Kombëtar i Zall Gjocaj është zonë e rëndësishme bimore, që paraqet pasuri të veçanta botanike dhe mban një ansambël të madh të specieve të rralla dhe \ ose të kërcënuara endemike me një vegjetacion të një vlere të lartë botanike. Është klasifikuar si zonë e rëndësishmë bimore sipas kriterit B, që ka për qëllim konservimin e zonave me një pasuri të lartë botanike, e rëndësishme për biodiversitetin e bimëve dhe organizmave që popullojnë atë., ku përveç, vlerave shkencore, parku njëherazi ka vlera të mëdha estetike, peizazhore, turistike të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Pasuritë natyrore dhe biologjike, bukuritë e peizazhit afrojnë potenciale të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit, turizmit Malor, turizmit të aventurës etj, si burim shumë i rëndësishëm të ardhurash për parkun dhe banorët vendas, të cilët, si burim kryesor të ardhurash, kanë vetëm blegtorinë.

Punoi: Ardi Malaj

Foto : Genti Cupi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here