Veza, ushqimi më i mirë në botë, ja disa kuriozitete që duhet t’i dini

0

Veza bën pjesë në listën e 10 super-ushqimeve dhe jo pa arsye! Pavarësisht përmasave të saj (ajo përmban një sasi të madhe substancash ushqyese themelore për shëndetin tonë.

E verdha e vezës, por edhe e bardha e saj përmbajnë një sasi të madhe proteinash dhe kolinë duke u përdorur gjerësisht në recetat e gatimit.

Për shkak të përmbajtjes në sasi të mëdha të proteinave, Departamenti i Agrikulturës së Shteteve të Bashkuara i fut vezët në kategorinë e mishit në piramidën ushqimore. Pavarësisht të mirave ushqimore që ka veza, këto mund të prishen dhe të japin efekt të kundërt nëse ajo nuk është ruajtur në kushte të mira (në temperaturë të ulët), nëse pula nuk është e vaksinuar si dhe nëse dikush ka alergji prej saj. Por cilat janë përfitimet nga konsumimi i vezës?

Përmirëson përqendrimin
Ushqyerja e mirë ndikon drejtpërdrejtë në aftësinë e fëmijës suaj për të mësuar. Kërkimet kanë treguar se konsumi i një mëngjesi të mirë dhe të ekuilibruar përmirëson përqendrimin dhe vëmendjen e fëmijës, aftësitë e tij në matematikë dhe rezultatet në provime. Nisja e ditës me një mëngjes të shëndetshëm që përfshin dhe vezët, i jep organizmit tuaj dhe të familjes suaj pikërisht vaktin e balancuar. Kjo sepse pothuajse të gjithë substancat ushqyese themelore që i duhen trupit tuaj gjendet te veza. Veza është e mbushur me 14 ushqyes themelorë dhe vetëm 5 gram yndyrë e 70 kalori.

Shije
Veza ka shije shumë të mirë, por nëse nuk ju pëlqen, ka një mijë mënyra për ta futur në receta gatimi dhe ti përshtaten shijeve të secilit.

Menaxhim i peshës
Proteina që ndodhet në vezë mund t’ju ndihmojë të bini në peshë, duke i kontrolluar vlerat me të cilat trupi juaj thith kaloritë. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se një mëngjes me bazë veze ka të njëjtat kalori si një mëngjes me bazë gjevreku. Ata që hanin vezë në mëngjes, konsumonin 163 kalori më pak në drekë, kishin më pak uri dhe në harkun kohor të 24- orëve, konsumonin 418 kalori më pak. Kur mundoheni të menaxhoni peshën tuaj, zgjidhni ushqimin që ju jep maksimumin e vlerave ushqyese për minimumin e kalorive. Veza është e rëndësishme për ata që po mundohen të bien në peshë sepse ka 14 substanca themelore ushqyese dhe përmban vetëm 70 kalori.

Zhvillon trurin
Veza i jep energji trurit. Kolina, substancë që gjendet tek e verdha e vezës, nxit zhvillimin dhe funksionin e trurit. Kolina njihet si një nga ushqyesit themelorë të organizmit tonë, por nuk prodhohet dot nga trupi ynë në sasitë e duhura, është e nevojshme marrja e saj nëpërmjet ushqimit. Mjaftojnë dy vezë për të marrë sasinë e nevojshme ditore të kolinës për organizmin tonë.

Mbron sytë
Vezët ndihmojnë për të mbajtur sytë të shëndetshëm. Luteina dhe zeaksantina që ndodhen në të, i mbrojnë sytë nga dëmtimi i rrezeve ultravjollcë dhe dielli. Këta dy antioksidantë mbrojnë nga degjenerimi i makulës për shkak të moshës (shkaku kryesor që çon në rënie ose verbim në njerëz mbi 65 vjeç) si dhe ul rrezikun për kataraktë.

Energji që zgjat
Futja e vezëve në vaktet tuaja, ndihmon në furnizimin me energji dhe ngopjen tuaj duke evituar kështu urinë dhe ngrënien pa orar. Proteina është substance më ngopëse dhe kontrollon vlerën me të cilën trupi thith kaloritë. Një vezë përmban 6gram të proteinës më cilësore dhe ndodhet si tek e bardha edhe tek e verdha, por që të përfitoni plotësisht duhet ti konsumoni të dyja. Veza është një nga ushqimet e pakta që kanë proteina komplete. Një proteinë komplete i ka të nënta aminoacidet themelore (esenciale) që trupi juaj nuk i prodhon dot. Aminoacidet quhen ndryshe tullat ndërtuese të trupit sepse formojnë proteinat dhe rrjedhimisht janë jetësore për trupin dhe shëndetin e tij. Përveç energjisë (kalorive) që i japin trupit, proteinë është themelore për ndërtimin dhe riparimin (korrigjimin) e indeve të dëmtuara si dhe mbajtjen e trupit të fortë dhe të shëndetshëm. Muskujt, organet, lëkura, flokët, madje dhe antitrupat, enzimat, hormone janë të gjitha të përbëra nga proteinat. Ato gjithashtu ndihmojnë në luftimin e infeksioneve, mbajtjen e ekuilibrit të lëngjeve si dhe ruajtjen e metabolizmit.

Multivitaminë
Ka vetëm 70 kalori dhe plot 14 ushqyes esencialë dhe përveç kësaj, konsumi i vezës është si të merrni një tabletë multivitaminike natyrale.

Praktike
Vezët janë lëndë e parë në shumë shtëpi. Me vezët në frigorifer gjithmonë mund të sajohet një vakt i shpejtë, i shijshëm dhe i ushqyeshëm. Kombinojini vezët me ushqime të tjera që mund tju kenë ngelur nga vakti paraardhës, pak kreativitet dhe mund të bëni omleta, frittata etj. Fatmirësisht, natyra na i ka dhënë vezët në porcione të gatshme, secila në zhguallin e vet.

Freski
Freskia e ushqimit që konsumoni është shumë e rëndësishme dhe për vezët në veçanti. Vezët pasi mblidhen në fermë, lahen, maten, paketohen dhe shpërndahen nëpër dyqane. Kjo procedurë merr rreth 3-7 ditë. Vezët janë nga të paktat burime të proteinave që mund të mbahen në frigorifer për 4-5 javë dhe të mos prishen. Data e skadencës që shkruhet mbi paketim tregon periudhën më të mirë që mund të konsumohen duke i ruajtur vlerat ushqyese në nivelin A. Për ti ruajtur mirë, vendosini në frigorifer bashkë me kartonin e tyre paketues.

Ekonomike
Duke konsideruar faktin që janë shumë të ushqyeshme, të shijshme, praktike, lehtësisht të gatueshme, kostoja duhet të ishte e lartë, por nuk është kështu. Ndërkohë që gatime me bazë veze të blera mund të kushtojë shumë, një paketim standard ka kosto me të ulët dhe shpesh cilësi më të mirë.

Vlera ushqyese që humbisni nëse nuk hani vezë
Për shkak të përmbajtjes në sasi të mëdha të proteinave, Departamenti i Agrikulturës së Shteteve të Bashkuara i fut vezët në kategorinë e mishit në piramidën ushqimore Pra vezët përmbajnë një varietet të gjerë elementësh ushqyes si kolinë, vitaminë D, A, folate, hekur dhe zink. Nëse ju nuk konsumoni vezë humbisni pikërisht këto elemente.

Kolina: Ajo është një përbërës shumë i rëndësishëm që ndihmon në zhvillimin e trurit dhe në përmirësimin e kujtesës. Kolinën e siguroni edhe nga ushqime të tjera si gjel deti, mish derri, mish viçi, mish pulem salmon, qiqra, fasule, bizele etj.

Seleni: Seleni është thelbësor për riprodhimin dhe funksionin e tiroides dhe e gjejmë kryesisht tek peshku dhe mishi. Ushqime të tjera që përmbajnë selen janë arrat braziliane, mishi i derrit, i qengjit, i pulës, peshku ton, farat e lulediellit salmon etj

Vitaminë D: Shumë pak ushqime kanë në përbërjen e tyre vitaminë D, megjithatë atë mund ta merrni nga dielli sidomos në orët e para të mëngjesit. Konsumoni më shumë peshk, kërpudha, lëng portokalli për të siguruar më shumë vitaminë D në dietën tuaj.

Folate: Acidi folik ose vitamina B9 është tepër e rëndësishme për rritjen e qelizave dhe forcimin e metabolizmit. Studimet kanë treguar se shumë njerëz sot në botë nuk marrin sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine. Ushqimet që kanë përmbajtje të lartë të acidit folik përfshijnë perimet me gjethe jeshile si spinaqi, brokoli dhe sallata jeshile, bamjet, shpargu, frutat si bananet, pjepri, dhe limonat, po ashtu fasulet, kërpudhat, mishi kryesisht mëlçia dhe veshkat), lëngu i portokallit dhe i domates. Por duhet pasur kujdes, sepse është vërtetuar se gjatë gatimit shkatërrohet pjesa më e madhe e acidit folik që gjendet tek ushqimet, prandaj këshillohet që të konsumi më shumë fruta dhe perime të gjalla.

Vitaminë A: Vitamina e të parit, retinoli është shumë e rëndësishme për shikimin. E gjeni atë tek mëlçitë, patatet e ëmbla, karotat, spinaqi, kajsitë etj. Në bimë gjendet në formën e beta-karotinës, e cila më tutje në organizëm shndërrohet në vitaminë A. Për këtë arsye beta-karotina quhet edhe provitaminë A.
Vitamina A është e nevojshme për disa procese në trupin e njeriut, pasi ndikon në zhvillimin dhe ndërtimin e sipërfaqes dhe brendësisë së lëkurës, për funksionimin e imunitetit, për shikimin në errësirë etj. Vitamina A është një antioksidant. Antioksidantët janë substanca që mund të mbrojnë qelizat e njeriut nga radikalet e lira. Vitamina A gjithashtu luan një rol të rëndësishëm tek shikimi, në rritjen e kockave, në riprodhim, në funksionimin e qelizave dhe në sistemin e imunitetit.

Hekuri: Hekuri transporton oksigjenin drejt organeve dhe muskujve. Hekurin e gjejmë tek mishi, spinaqi, farat e susamit, fasulet, kakao etj. Hekuri mban të shëndetshme qelizat e kuqe të gjakut dhe është bazë për formimin e hemoglobinës. Hekuri transporton oksigjenin nga një qelizë tek tjetra si dhe ofron oksigjen për muskujt tanë. Hekuri rrit gjithashtu funksionin e trurit. Hekuri sjell dhe përfitime të tjera për organizmin tonë si rregullimi i temperaturës së trupit dhe shtimin e energjisë.

Zink: Ai është një tjetër përbërës i rëndësishëm për shëndetin e trurit, imunitetin dhe zhvillimin e qelizave. Burime të mira të zinkut i gjejmë mishi i viçit, farat e susamit, farat e kungullit, kikirikët, stikat e pishës etj.

Siç e shihni, veza është shumë e rëndësishme për ju, por edhe nëse nuk keni mundësi ta konsumoni atëherë zëvendësojeni atë me ushqimet që përmbajnë vlerat e saj.

Kuriozitete

Veza e përsosur për mëngjes
Për vezën e përsosur për mëngjes ka preferenca të ndryshme Shumica e preferojnë të bardhën e vezës të fortë, ndërsa të verdhen e vezës të butë. Një mënyrë është një lugë e vogël me kripë në ujë të nxehtë, që mpiks të bardhën e vezës, nëse veza çahet. Më e rëndësishmja është koha e zierjes. Për vezët më të vogla nevojiten pesë minuta, për më të mëdhatë gjashtë minuta.

Të bardha apo kafe?
Shumë mendojnë se ngjyra e lëvozhgës së vezës, varet nga ngjyra e puplave të pulës. Është krejtësisht e gabuar. Kjo ka lidhje me ngjyrën e llapës së veshit të pulës. Pulat me veshë të bardhë bëjnë vezë të bardha, pulat me veshë të kuq bëjnë zakonisht vezë me lëvozhgë në ngjyrë bezhë në kafe.

Përse është veza ovale?
Mbajtësja e ruan vezën e rrumbullakët të mos rrëshqasë e të bjerë në tokë. Megjithëse një formë këndore do të kishte qenë ndoshta më praktike, forma e rrumbullakët ka arsyen e vet. Në çeljen e vezëve. Falë shpërndarjes inteligjente të peshës, veza e duron shumë mirë peshën e pulës dhe mund të mbante madje edhe disa kilogramë të tjerë.

Nga e lëngët në të ngurtë
Një e bardhë veze përbëhet nga gati 90% ujë dhe 10% proteina. Këto të fundit janë të përbëra nga aminoacidet, të cilat formojnë zinxhirë të gjatë. Kur veza nxehet, ato humbasin mbajtjen te njëra-tjetra, molekulat dhe atomet fluturojnë në mënyrë konfuze andej këndej, në kërkim të partnerëve të rinj. Me anë të këtij rrjeti e bardha e lëngshme e vezës forcohet, pasi arrin rreth 85 gradë celsius.

E verdha e vezës
E verdha e vezës përbëhet prej ujit, yndyrës, kolesterolit, mineraleve, vitaminave dhe proteinave. Kjo përzierje vepron si emulgator. Ajo pengon lëngjet të përzihen me njëra-tjetrën, për shembull, në prodhimin e majonezës, salcës hollandeze, apo akullores. Por edhe në pikturën me bojëra vaji e verdha e vezës përdoret si lidhës, për të ashtuquajturat bojëra tempera me vezë.

Përralla e kolesterolit
Veza konsiderohet bombë kolesteroli. Është kjo e vërtetë? Kolesteroli është një substancë e rëndësishme, që prodhohet nga trupi në sasi të mëdha. Nëse e merr këtë substancë, trupi e ngadalëson prodhimin e saj dhe vlerat e gjakut mbeten konstante.Kështu vezët ndihmojnë për një ushqim të ekuilibruar, sepse përmbajnë lëndë të rëndësishme ushqyese dhe ndihmojnë në prodhimin e proteinave të trupit.

Nga vezë në pulë
Një pulë bën gati çdo ditë një vezë. Brenda 24 orëve në trupin e pulës nga një ovulë e vogël krijohet një vezë me peshë deri 73 gram. Një ditë pasi ka dalë veza, fillon të rrahë në të zemra e embrionit. Pas 14 ditësh zogu rritet dhe bëhet gati sa veza dhe pas gati gjashtë ditësh del jashtë zogu i vogël i verdhë.

Studimet
Vezët nuk ndikojnë fare në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës apo në rritjen e kolesterolit në gjak. Për të mbërritur në këto përfundime të botuara në revistën “European Journal of Nutrition”, kërkuesit britanikë kanë analizuar 30 studime të ndryshme të bëra në 30 vitet e fundit.

Tradita
Simbol i lindjes së jetës, ishte protagoniste e festave të pranverës dhe festës së Pashkëve. Disa tradita kanë ardhur deri në ditët tona, si për shembull riti për të dhuruar vezë të kuqe ditën e Pashkëve. Vetëm gjatë javës së kësaj feste mendohet se konsumohen 300 milionë të tilla në ditë.

Historia
Veza ngelet një ushqim shumë i vlefshëm dhe me një konsum të gjerë. Të parat në menytë antike nuk ishin ato të pulës. Historianët tregojnë që fillimisht kartagjenasit ushqeheshin me vezë struci, ndërsa vezët e pulës, duhej të ishin pjesë ushqimit të përditshëm.

Konsumi
Konsumatorët më të mëdhenj të vezëve në botë janë japonezët. Ata konsumojnë rreth 350 vezë në vit, thuajse një në ditë. Për ta veza është e rëndësishme njëlloj sa orizi. Në të gjithë botën ato të pulës konsumohen më shumë, ndoshta për arsyen se janë edhe shumë të ushqyeshme.

Përbërësit
Na furnizojnë me një sasi të madhe proteinash që përmbajnë të gjitha aminoacidet e nevojshme për qeniet njerëzore përveç sasive të vitaminave dhe mineraleve. E verdha e saj, përmban proteina me vlerë të madhe biologjike, aminoacide thelbësore, yndyra, fosfor, hekur, kalcium, zink, magnez, vitamina A, B1, D, E

Anekdota
Sipas Dante Aligerit, veza e pulës me kripë ishte ushqimi më i mirë në botë. Një anekdotë tregon se një ditë, Dante takoi në shesh një zotëri i cili pasi e ndaloi e pyeti: “Cili është ushqimi më i mirë në botë?”. “Veza”, iu përgjigj poeti. Një vit më vonë, në të njëjtin shesh të dy u takuan sërish dhe i panjohuri e pyeti me një frymë: “Me çfarë?”. “Me kripë”, ishte përgjigjja e Dantes, i famshëm për kujtesën e tij legjendare

Besimet
Dikur mendohej se për të mos u sëmurur në dietën e një njeriu të moshuar nuk duhej të mungonte kurrë “gruri, veza e zier fort, djathi, zhardhokët, kërmijtë, thjerrëzat dhe mishi i derrit, ndërsa për romakët, veza e pulës e shoqëruar nga buka, ullinjtë e vera, ishte pjesë ushqimit që duhej të hahej patjetër çdo darkë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here