Të kurohesh në llixhat e Cikalleshit

0

Kjo është periudha më e mirë për të shkuar në llixha. Të gjithë ata që kanë vite që i frekuentojnë dhe u është kthyer në rituale e dinë shumë mirë këtë gjë. Në Shqipëri ka disa vende me ujëra termale, por më të famshmet janë ato të Elbasanit. Kjo tokë e bekuar dhe kurative u jep shërim shumë njerëzve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, kryesisht nga reumatizma. Prej vitesh këto vende janë kthyer edhe në ambiente sociale, ku pushuesit, njohin njerëz të rinj të cilët i bashkon “hall” i përbashkët.

Këtë herë kemi vendosur të ndalemi në fshatin Cikallesh të Elbasanit, tashmë të shndërruar në qytezë termale.

Kasem Çekrezi është pronari i një prej hoteleve në atë zonë, “Hotel Panorama”, i cili momentalisht është i mbushur plotë më pushues.

Në fillim të viteve ’90, si shumë shqiptar të tjerë edhe Çekrezi zgjodhi emigracionin, si një mundësi më të mirë për veten dhe familjen. Por, mesa duket emigrimi nuk është një zgjidhje që mund të zgjas gjithë jetën, ndaj ai vendosi të kthehej në fshatin e tij të lindjes, Çikallesh, këtë herë me një ide të qartë se çfarë do të bënte. Duke vlerësuar bukurit natyrore dhe kurative të fshatit, pesë vite më parë ai vendosi të ndërtoi një hotel, me një kapacitet të vogël, 22 dhoma, por brenda të gjitha standardeve që i kërkohet një shërbimi të tillë.

Sot ai nuk është penduar aspak që është kthyer nga Italia.

Të paktën jam duke bërë diçka në vendin tim. Jam në tokën dhe shtëpinë time. Sado i mirë të jetë emigracioni, përsëri je në tokë të huaj. Tani kam ngritur një punë timen, normal me vështirësi, por jam pranë njerëzve dhe familjes”- shprehet Çekrezi për Dita-n.

Hoteli ofron shërbimin e fizioterapisë, baltoterapisë dhe banjo me ujëra termale. Mjeku është vazhdimisht prezent për çdo problem të pushuesve.

 

Kasem Çekrezi tregon se Llixhat frekuentohen shumë edhe nga shqiptarët e Kosovës, sidomos tre vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të tyre. Sipas tij, periudha më e mirë për të frekuentuar llixhat është pranvera dhe vjeshta, ndërsa gjatë verës, frekuentohet shumë nga emigrantët që nuk kanë mundësi të vijnë në periudha të tjera të vitit.

Hoteli është i pozicionuar rrëzë kodre dhe është i rrethuar nga gjelbërimi, ka një oborr të mbushur me lule dhe një pamje qetësuese, për të gjitha ata që e zgjedhin në këtë periudhë. Të mos harrojmë po ashtu më kryesoren: pagesa për të gjitha shërbimet e ndenjes, ushqimit në të tre vaktet, të një apo dy banjave ditore me vaskë, kushton 14 mijë lekë të vjetra në ditë.

Cikalleshi

Fshati Çikallesh zotëron një dimension me 9.5 ha. Llixhat mëmë, të Vjetrat, siç quhen shpesh me të folurën popullore, kanë në përdorim kurativ 15 burime, kurse ato Hidraj vetëm 3. Temperatura e ujërave në dalje është deri 65 gradë dhe fluksi i tyre i rrjedhjes në 7-15 litra/sekondë. Klima e territorit përreth shumë favorizuese, krejt mesdhetare. Sipërfaqja gjelbëruese shkon në 35 hektarë dhe lartësia mbi nivelin e detit nis nga 185 gjer në 284 metra.

Cikalleshi, vetëm dy kilometra e gjysmë në vijë ajrore prej Llixhave Qendër, është në mal, për rrjedhojë krejtësisht i ajrosur. Lugina kodrinore, ku ai është vendosur, tërë ditën është e mbushur me dritë dielli, aq sa të lë përshtypjen se prej këmbënguljes shekullore të kësaj ngrohtësie të ardhur nga qielli janë krijuar edhe ato burime të nxehta nëntokësore. Të mos harrojmë po ashtu se territori i dy llixhave ka një qëndrueshmëri sizmike mjaft të dukshme dhe po ashtu, u duhet kujtuar bashkëkombësve se ujërat e burimeve të tyre kanë edhe vlera kozmetike.

Për të sëmurë dhe të shëndoshë

Sipas specialistëve llixhat e Elbasanit janë përdorur për qëllime kurative që në lashtësi, sidomos gjatë periudhës romake. Nga pikëpamja shkencore, ujërat e nxehta e me gaze të Elbasanit, që ndodhen në brendësi të tokës, u nënshtrohen një sërë procesesh hidrogjeologjike, që arrijnë në një temperaturë deri në 60 gradë në burime. Këto ujëra përmbajnë dhjetë elementë kimikë, të cilat i bëjnë llixhat mjaft kurative për shumë sëmundje, si ato reumatizmale, artrozat, sëmundjet e sistemit nervor periferik, gjinekologjike, të lëkurës, enëve të gjakut dhe aparatit tretës.

Ujërat tjera termale në Shqipëri

Llixhat. Të rinjtë jo e jo, por edhe të vjetrit, po nuk u dhëmbin kockat, nuk e kujtojnë fare këtë fjalë. Por ja që vjen një moment dhe njeriu jo vetëm ua ndjen nevojën, po mezi pret t’i vejë data e prenotimit në to që të heqë atë dreq sikleti që i ka mbërthyer keq kyçet. Pra llixhat tani nuk janë vetëm shpresë, por bëhen edhe shpëtim. Pavarësisht sa ia dinë vlerën dhe sa shfrytëzohen, por ujërat termale (llixhat) janë pasuria më e paçmuar e një vendi. Për fat, Shqipëria ka disa të tilla, por më të mëdhatë dhe më të njohurat janë llixhat e Elbasanit.

Mund të përmendim ujërat termale të Bilajt, në Fushë Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, të cilat kanë efekte kurative të reumatizmës, lëkurës dhe sistemit nervor.

Për t’u përmendur janë dhe llixhat e Elbasanit, ujërat e së cilës kanë vlera të larta terapeutike ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake.

Gjithashtu dhe burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës.

Lixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, efektet e të cilave trajtojnë sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike. Ujërat termalë të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurativë të pijshëm siç janë Kroi i Bardhë në komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në parkun kombëtar të Qafë Shtamës etj.

1 – Burimet e ujërave termale të Biljat pranë Fushë-Krujës

Këto janë burime termale, të cilët ndodhen më pranë kryeqytetit. Ato gjenden në rrugën nacionale Vorë-Fushë Krujë në fshatin Bilaj, pranë urës së Gjolës. Burimet e këtyre ujërave termalë dalin nga depozitimet e luginës së Ishmit. Janë ujëra të pasura sulfurore me lëndë minerale si: Ca, Na, K, Fe, Mg etj. Temperatura e ujërave është 55 gradë C.

Këto të fundit kanë efekte kurative mbi probleme të reumatizmës, lëkurës dhe sistemit nervor

2 – Llixhat e Elbasanit

Ndodhen pranë qytetit të Elbasanit. Këto burime janë të njohura dhe të përdorura që gjatë periudhës romake. Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike. Sot gjenden shumë hotele private, që ofrojnë shërbime në këto llixha.

3 – Burimet e ujërave termale të Bënjës

Këto burime gjenden 14 km larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 km larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. Janë gjithsej 6 burime. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26-32 gradë C. Njëri burim shërben për trajtimin e sëmundjeve të stomakut, një tjetër për trajtime të lëkurës. Trajtime të tjera janë për sëmundjet kronike të reumatizmës. Shfrytëzimi i parë i këtyre ujërave me përmbajtje biokarbonatike është bërë që prej vitit 1964.

4 – Burimet e ujërave termale të Vronomeros

Këto burime gjenden 10 km në jug të qytetit të vogël të Leskovikut. Janë burime termale të pasura me kripëra të ndryshme, të cilat trajtojnë disa lloje sëmundjesh. Temperatura e ujërave është nga 29-40 gradë C. Këtu ofrohet akomodim modern me staf të specializuar mjekësor, si dhe me shërbim hotelerie.

5 – Llixhat e Peshkopisë

Ndodhen pranë qytetit veri lindor të Peshkopisë. Ato burojnë nga formacionet e gipseve të malit të Korabit. Janë dy burime sulfurore me temperaturë 35-43,5 gradë C dhe me një prurje prej 14 litra/sek. Ato kanë përmbajtje kaliumi dhe sulfatesh. Efektet e tyre lidhen me sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes: si astma bronkiale, bronshite, reumatizmën, diabetin, sëmundjet e lëkurës dhe probleme gjinekologjike.

6 – Vlerat turistike të burimeve ujore, Mirditë

Veç bukurive natyrore, klimës së rrallë, pasurive nëntokësore, pyjeve e kullotave, bjeshkët e Selitës në Mirditë, janë të përmendura edhe për burimet e shumta e të veçanta ujore.

Pothuaj gjithë territorin e saj e përshkon lumi i Urakës, që buron nga Gryka e Selitës dhe pasi përshkon 37 kilometrat e gjatësisë së tij, derdhet në liqenin e Ulzës.

Por, duhet theksuar, se burimet ujore në këtë zonë, janë jo vetëm të shumta, por dhe karakteristike, pasi këtu gjendet edhe një lumë i nëndheshëm, siç është lumi i Shutërrisë, por gjendet edhe një burim i famshëm kurativ, siç është ai i pikës turistike të Kroit të Bardhë, që buron në shpatet perëndimore të Malit të Kunorës, në lartësinë mbi 1300 metra mbi nivelin e detit./Gazetadita,al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here