(STUDIMI) Të zgjedhim hibride misri e të aplikojmë teknologji efikase për vjeljen e kapaciteteve gjenetike dhe ekologjike

0

Përgatitur nga: Prof.ass. Kostandin Hajkola, QTTB Shkodër

(vijon nga dje) …Tregu sot ofron një gamë të gjerë hibridesh. Janë mbi 70 emërtime hibridesh misri të sjella nga tregtarët importues duke filluar nga kompanitë më serioze në botë e deri tek ato anonimet. Në këtë gamë të gjerë zgjedhjeje, ka mjaft emërtesa të reja, të paprovuara. Kujdes me këto hibride. Shpesh këto emërtesa të reja shoqërohen me “propagandën” e importuesve si më rezistent ndaj thatësirës, ndaj sëmundjeve e dëmtuesve, kapacitet të lartë etj. etj. Lërini të provohen të paktën për një vit. Në rastin e zgjedhjes së hibrideve për silazh atëherë duhen shtuar edhe kritere si më poshtë:

  • Cikël vegjetativ më të gjatë. Kjo për arsyen e thjeshtë se korrja realizohet para pjekjes së plotë. Nga pikëpamja praktike në zona të caktuara ekologjike hibridet për silazh zgjidhen me cikël vegjetativ më të gjatë.
  • Hibridet për silazh kërkohet të jenë të përshtatshëm të kultivohen me një numër bimësh 10-12 % më të lartë se sa kur kultivohen për kokërr. Treguesit kryesorë agromorfologjikë të dëshirueshëm janë këndi i gjethes vertikal si dhe rezistenca e lartë ndaj rrëzimit.
  • Hibridet për silazh duhet të kenë një strukturë “veshjeje” të ngjeshur me gjethe.
  • Preferohen për silazh hibridet e tipit “StayGreen” (janë të gjelbër deri në pjekje). Kjo është e dëshirueshme pasi realizohen vlera më të larta ushqyese në kokërr duke siguruar lagështirë të mirë në përgatitjen e silazhit (ngjeshjen e tij), në saj të turguorit të lartë në gjethe, e cila është funksionale dhe ruan lagështirën e duhur për silazhim deri në pjekje të plotë të dyllit.
  • Duke ditur se vlera më e lartë e silazhit është në kokrrën e misrit, hibridet për silazh duhet të kenë aftësi prodhuese shumë të larta edhe në prodhimin për kokërr.
  • Preferohen për silazh hibride që kanë trashësi kërcelli të vogël, por elasticitet dhe tolerancë të lartë ndaj rrëzimit. Tregu ka ofruar dhe ofron hibride me karakteristika të tilla. Natyrisht, duhet kërkuar sa më shumë informacion nga ofruesit e farave. Jo çdo hibrid i mirë për kokërr është i mirë për silazh.

Një pjesë e fermerëve, veçanërisht ata afër plazheve, kultivojnë misër për tregtim në formë të pjekur. Misri i konsumuar në këtë formë (kalli i pjekur në prush) ka interes ekonomik të lartë. Në një cikël të mbyllur arrihet të merren mbi 1 milion lekë/ha. Ai është i pëlqyeshëm dhe ka vlera ushqyese të mira. Në këtë rast kultivuesit duhet të zgjedhin fara hibride misri që pëlqehen nga konsumatori. Kërkesa gjatë gjithë kohës së plazhit për të pasur këtë produkt, dikton mbjellje dhe vjelje sipas një konvejeri të mirëmenduar, pasi konsumi realizohet kur kalliri është në fazën e qumështit. Këtu gërshetohen hibridet me cikël të shkurtër dhe të mesëm. Zakonisht kalliri për pjekje preferohet të ketë jo më shumë se 12-14 rreshta. Preferohen më shumë misrat me kokërr të bardhë. Nga pikëpamja e vlerave ushqyese por edhe për cilësi e shije shumë të mirë, do të rekomandoja përdorimin e hibrideve me kokërr të verdhë. Në këtë rast mundësia e përzgjedhjes së ciklit dhe numrit të rreshtave në kalli është më e madhe, pasi gama e hibrideve të verdhë është shumë më pasur se ajo e hibrideve me kokërr të bardhë. Gjithashtu do të shtoja faktin se në vlera ushqyese hibridet e verdhë janë dominantë ndaj atyre të bardhë. Edhe pamja tregtare në këtë fazë të zhvillimit të kallirit (pjekje e qumështit) është e pëlqyeshme. (ABROBIZNESI)

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here