Siguria ushqimore nuk garantohet me fushata

0

Flet pedagogu u veterinarisë në UBT, Dritan Laçi

Pedagogu u veterinarisë ne UBT  Dritan Laçi në një intervistë për TV Fax News thotë se siguria ushqimore nuk mund te garantohet me fushata maratonë si kjo e kohëve të fundit, por me një edukim sistematik të konsumatorëve. Ky edukim duhet nisur që në bankat e shkollës.

Intervista  e plotë

1-Në gjithë vendin po dëshmohet kohët e fundit një sensibilizim masiv intitucional për sigurinë ushqimore.  Po deri tani që ka munguar ky aksion do të thotë që ne kemi konsumuar produkte të dyshimta?

Siguria ushqimore është shumë e rëndësishme. Cdo raport progres që vjen nga Brukseli ka në qendër sigurinë ushqimore. Përpjekjet e kohëve të fundit janë për t’u vlerësuar, por këtu do doja të ndaja dy çështje. Së pari; detyrimin që kanë institucionet për të garantuar ato që ne konsumojmë. Së dyti; edukimin që duhet të kemi ne si konsumatorë.

 2- Sa kapacitete kanë institucionet shqiptare të sigurojne maksimalisht cilesinë ushqimore dhe vecanërisht produktet shtazore ku duket se është përqëndruar edhe vëmendja kyesore?

 Kemi një AKU që duket se po lëviz vetem kohët e fundit me rritje të numrit të inspektimeve në drejtim të asgjësimit të produkteve. Por kjo nuk duhet bërë me fushata, kërkohen programe edukimi që në shkolla sesi ne të njihemi me karakteristikat e produkteve dhe mënyrat si t’i përzgjedhim këto produkte. Deri tani AKU nuk ka bërë punë të mjaftueshme për sigurinë ushqimore, shto dhe faktin që edhe legjislacioni ka problemet e veta.Fakti për punën e dobët të AKU dëshmohet dhe në raportin e fundit të KLSH ku shprehimisht shkruhet për këtë institucion se në periudha të caktuara nuk ishte në gjendje të garatonte sigurinë ushqimore. S’ka rregullore të brendshme të funksionimit të këtij autoriteti. Brenda AKU 30% e personelit janë veterinerë, pjesa tjetër nuk ka përputhshmëri e vendin e punës.  

 3- Po marr shkas nga nje aksion i diteve te fundit ku u sekuestruan mbi 2 ton mish per mungese dokumentacioni? Nese behet fjale vetem per dokumenta a eshte asgjesimi alternativa e vetme?

Në fakt kjo duhet të jetë alternativa e fundit. Mishi i asgjësuar, sado që nuk kam informacion cfare lloji ishte, po të marrim thjesht të mirëqënë faktin se mungonte vula dhe dokumentacioni   duhet t’i nënshtrohej analizave konkrete mbi cilësinë e tij dhe a është i konsumueshëm apo jo. Por mungesa e një baze logjistike që do jepte një pëgjigje shkencore mungon ne vendin tone, siç janë laboratorët, dhe kësisoj asgjësimi mbetet e vetmja rrugë.

4-Si funksionon zinxhiri ushqimor në vend te produktet shtazore ?

 Aksionet e ditëve të fundit pse jo kanë krijuar dhe vakuum në lidhje me therjet dhe mishin në tregun e brendshëm. Por pozitiv është fakti se diçka po lëviz pasi deri para pak kohësh gjithcka bëhej formalisht dhe askush nuk dinte çfarë mishi përfundonte në tavolinat tona. Nuk mund t’u lejohet në anjë mënyrë konsumatorëve mish i pagarantuar,  dhe garancia e një produkti nuk realizohet vetëm me një inspektim dhe vulë. Zinxhiri është i gjatë që nga bagëtitë në vathë, regjistrimin, bazën e të dhënave për to. therja gjithashtu është një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar. Rrjeti ftohës ka impakt të madh në garancinë dhe sigurinë e mishit. Dhe e gjithe kjo industri ka një kosto të caktuar.

5- A kanë mundësi fermerët dhe blegtorët të magtrikulojnë gjithë bagëtite, në kushtet kur ky shërbim eshtë  privat?

Ajo që duhet të biem dakort të gjithë është që matrikulimi i kafshëve është i nevojshëm dhe i domosdoshëm në nivel kombëtar. Ne s’mund t’ja lejojmë vetes të kemi ende bagëti të pamatrikuluara. Ky proces ndikon në sistemin e gjurmueshmërisë. Ky proces është tejet i rëndomtë në vendet e BE. Sot ka një transformim në sistemin veteriner i mbështetur dhe me ligj. Po formësohen stacionet private veterinare. Matrikulimi duhet të ndiqet nga stacionet veterinare private. Matrikulimi domosdoshmërisht duhet të ndiqet edhe nga autoritetet shtetërore që kontrollojnë lëvizjen e kafshëve. Ato duhet të bëjnë matrikulimin si dhe të heqin matrikujt kur kafshët theren.

6-Ku  duhet bërë matrikulimi te ferma e bagëtive apo bagetite të shkojnë te veterineri?

Veterinerët duhet të shkojnë fermë më fermë dhe të bëjnë matrikulimin e bagëtive. Ky duhet të jetë një proces normal dhe jo të bëhet me fushata.Të gjitha stabilimentet e rritjes së gjedhit t’i nënshtrohen kësaj procedure, baza e të dhënave duhet të ruhet rigorozisht si në stacionet private veterinere ashtu dhe në dikasteret shtetërore. Deri tani matrikulimi nuk ka ecur në mënyrë të kënaqshme. Të dhënat janë hedhur në mënyrë sporadike, kafshet e therura  ende s’janë hedhur në data base. Duhen përdiësuar të dhënat. Në pikat e therjes duhet të hyjnë vetëm bagëti që janë matrikuluar dhe vetëm ky sistem garanton therjen e e kafshëve të shëndetshme. Në të kundërt mund të përfundojnë lehtësisht në tavolina kafshë me probleme. Me këtë produkt mund të vijnë dhe mbetje antibiotikësh, mbetje hormonale që përdoren si stimulues për rritjen e  kafshevë. Akoma më keq therren kafshë dhe me probleme zoonotike që transmetojnë sëmundjet te njerëzit. Të eliminohen me çdo lloj mënyrë therjet e kafshëve të pamatrikuluara. Madje para therjes çdo kafshëduhet  t’i nënshtrohet vizitës te veterineri.

7-FAO së fundi ka bërë thirrje për rinisjen e vaksinimit kundër dermatozës nodulare, në dijeninë tuaj ka rikthim të sëmundjes?

Dermatoza nodulare është një sëmundje që prej dy vite e gjysëm përbën risk të konsiderueshëm për gjedhin në vendin tonë. Mënyra si u trajtua kjo sëmundje ishte e mangët. Autoritetet nuk përfillën dhe zërat që vinin nga bota akademike.Niveli i vaksinave që u sigurua ishte i pamjaftueshëm, për shkak të fondeve të pamjaftueshme. Para pak muajsh një fermer importoi nga jashtë një numër të madh gjedhi dhe brenda pak kohëe bagëtitë e tij u asgjësuan pasi u prekën nga sëmundja. Kush duhet të mbajë përgjegjësi në këto raste?Përgjegjësia bie mbi autoritetet kompetente, drejtoria e veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë. Sepse siç nuk garantojmë siguri në raste të tilla më të njëjtat veprime nuk garantojnë do as ekonominë kombëtare.(N.SPIRI)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here