Shega, fruti magjik në mbarë botën!

0

Gjatë historisë së saj mijëra vjeçare, shega ka qenë simbol i shpresës, paqes, prosperitetit dhe bollëkut, për banorët e çdo pjese të botës ku ajo është kultivuar. Popujt e besimeve dhe kulturave të ndryshme ja kishin diktuar dhe i njihnin mirë dobitë e saj, prandaj u bë simbol për Hyjnorët, udhëheqësit historikë, letrarët dhe artistët e famshëm. Këto i gjejmë të pasqyruara në histori, mite, fe të ndryshme, folklor, artin klasik dhe në veprat letrare e artistike. Po përmendim disa: Në Egjiptin e lashtë, 3600 vjet më parë, janë gjetur në varre piktura murale që simbolizonin jetën e përtejme. Mbretin TATU e varrosën me një vazo me shegë. Shtyllat e tempullit të Solomonit në Jeruzalem, ishin zbukuruar me piktura të luleve dhe frutave të shegës. Monedhat e argjendit të Izraelit( 60-70), kishin të stampuara tri kokrra shegë, si tek tempulli Solomonit. Në traditat e hebrenjve shega simbolizon drejtësinë. Persianët (600-700 PK) mbillnin shegë në oborret e tempujve si simbol i përjetësisë, pasi shega kishte gjithë vitin gjelbërim.

Në mitet e Greqisë së lashtë, shega ishte simbol i pazgjidhshmërisë martesës. Vajzën e Perëndeshës Demetër, Persofonin, e rrëmbeu në ferr Hedes. Ai duke e gënjyer i dha të hante disa kokrra shegë. Ngrënia e shegës e ndalonte të ndahesh nga burri. Zeusi si Kryeperëndi e zgjidhi me një kompromis: Persofoni do te jetonte në ferr me Hedesin një të tretën e vitit dhe dy të tretat me Demetrën. Kthimi Persofonit në ferr bëhet me ardhjen e pranverës. Gjithashtu shega ishte e shenjtë për Perëndeshën e dashurisë Afërditën dhe Perëndeshën e martesës HERA. Për to, fruti shegës simbolizonte çertifikimin e martesës dhe humbjen e virgjërisë femërore.

Në Romën e lashtë shega gjendet si element zbukurimi në mozaket e ndërtesave të ndryshme. Gratë e martuara për të treguar statusin e tyre martesor, në publik vendosnin në kokë një degë shege.

Në fenë e krishterë, në Bibël, shega përmendet disa herë. Për artin kishtar ajo simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe premtimin e jetës pas vdekjes. Në pikturat e Sandro Botticelli(1440-1510), Raphael(1483-1520), Filippino Lippi, etj., Shën Maria paraqitet me Krishtin fëmijë i cili mban në duar një shegë. Shega, simbolizon bollëk, shpresë, produktivitet dhe dlirësinë e Virgjëreshës Mari. Në veladonet e rasot e priftërinjëve dhe ikonostaset e kishave janë dizenjuar ose gdhëndur lule e fruta të shegës. Gjat ceremonive të vdekjeve ose përshpirtjeve, kokrrat e grurit të ziera me sheqer që jepen për këto rraste, zbukurohen me disa kokrra shegë anash. Shumë dijetarë hebrej besojnë se “fruti i ndaluar” i Kopshtit Edenit ishte shega.

pomegranate-pomegranate-juice

Në fenë islame shega vlerësohet si një frut i çmuar për ushqim dhe përmendet si sinonim i paqes. Librat e fesë islame thonë se çdo kokërr e shegës është një mesazh nga Parajsa. Në Kuran, Parajsa përshkruhet e përbërë nga katër kopshte me burime e pemë, në mesin e tyre dhe shega. Dinastia Islame Maure(1238-1358), ndërtoi në Granada të Spanjës një pallat madhështor ku në mure, dysheme dhe qemere ishin vizatuar apo ndërtuar mozaikë me lule e fruta shege.

Në Budizëm tri fruta konsiderohen të shenjta: portokallet, shegët dhe pjeshka. Këto në artin budist, përbëjnë thelbin e ndikimeve të dobishme. Buda predikonte se çdo zakon i keq tek fëmijët shërohet duke ngrënë një kokërr shegë.

Në kulturën kineze, që nga lashtësitë e deri në kohët tona prodhimet e porcelanit dhe të mëndafshit janë zbukuruar të dizenjuara me lule të shegës.

Mbreti Anglisë Henri VIII kur u martua me Katerinën e Aragonës, si emblemë të tyre kishin shegën e Granadës. Thuhet se ky ka qenë i pari që e ka mbjellë këtë bimë në Britani.

Maksimiliani i Austrisë në vitin 1519 zgjodhi dhe vendosi shegën si simbol personal të tij.

Në vitin 1598 Mbreti Francës Henry IV, përfundoi luftën civile midis katolikëve dhe protestantëve, dhe si heraldikë zgjodhi të kishte një shegë.

Shkrimtari famshëm Oscar Uilde(1854-1900), shkruajti përrallën për fëmijë “Shtëpia e Shegëve”, me mesazhe të fuqishme për të rriturit. Ndërsa për Uliam Shekspirin tek “Romeo dhe Zhulieta”, shega simbolizon dashurinë e ndaluar.

Ne gjysmën e parë të shekullit të kaluar, shega u bë pjesë e lëvizjeve artistike moderne si: Post-impresionizmit, Fauvismi, Kubizëmi dhe Surealizëmi. Paul Cezanne(1039-1906), Henri Matisse(1869-1954), Picasso(1881-1973), Salvador Dalí(1904-1989), etj., në punët e tyre kanë përfshirë dhe shegën. Edhe kurora që kurorëzon vajzën më të bukur, “Misset” si dhe kurorat e disa mbretërve janë dizenjuar e konceptuar si një lule shege.

Në Shqipëri shega është mijëra vjeçare. Gjurmët më të vjetra në trojet tona janë gjetur në Butrint si element dekorativ i mozaikëve, datojnë në shek. IV para Krishtit. Në shumë punime popullore, si gdhendjet në dru apo endjet, lulja e shegës është përdorur si element zbukurimi ose dizenjo që në lashtësi. Shega pasqyrohet ose ka lidhje me shumë rite dhe folklorin e trevave të ndryshme të vendit tonë. Në traditat dhe ritet e lashta popullore konsiderohet si simbol i fertilitetit. Në Mallakastër, Berat, Dumre, etj., në dasma, karvanit të krushqëve që shkonin për të marre nusen, u printe një flamur ku në majë të flamurmbajtëses(bishtit) vendosej një shegë. Në disa zona të tjera si, Vlorë e Gjirokastër nusja kur shkon tek shtëpia e dhëndrit merr me vete një shegë ose, ja japin për të hyrë në shtëpi më shegë në dorë. Shega për shqiptarët është sinonim i të bukurës në përgjithësi dhe i bukurisë femërore në veçanti.

Dobitë

Studimet shkencore te ditëve të sotme po hedhin dritë mbi të vërtetat; përse kjo bimë është bërë kaq e dashur deri mitike nga të gjithë popujt e botës!? Që në lashtësi, rreth 3000 vjet më parë, njerëzimi i ka pikasur cilësitë e veçanta të kësaj bime në drejtim të luftimit të sëmundjeve dhe përmirësimit të shëndetit njeriut. Studime shkencore rreth përfitimeve mjekësore nga shega kanë qenë të pakta. Vitet e fundit këto studime janë intensifikuar, shumë shkencëtarë po kryejnë kërkime shkencore, të cilat janë në stadin e epruvetave, të provave në kafshë dhe pak aplikime janë bërë në njerëz. Deri tani, shkencëtarët e mjekësisë moderne janë befasuar nga të dhënat e para që kanë zbuluar në drejtim të dobive shëndetësore për njeriun, dhe e kanë cilësuar si një bimë “çudibërëse”. Në kokrrat e shegës është zbuluar një lëndë që quhet punicalagins, një antioksidant që e përmban vetëm shega.

Qendrat shëndetësore prestigjioze në SHBA e rekomandojnë shegën dhe lëngun e saj për disa sëmundje:

1. Parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

2. Parandalimin e Kancerit, veçanërisht kancerin e prostatës dhe të gjirit tek femrat.

3. Për uljen e kolesterolit në gjak.

4. Parandalon mbipeshën.

5. Lufton dëmtimin e qelizave; parandalon degradimin e ADN-së qelizore

Kujdes, shega ka ndërveprim me ilaçet e ndryshme

Theksohet se shega ka ndërveprim me ilaçet e ndryshme, prandaj duhen konsultime me mjekun për njerëzit e sëmurë. Shega është e pasur me vlera ushqimore si kripra minerale, Vitamina C, Vitamine K, Vitamina B6, fibër, etj. Sot tregtohet si frut, lëngje dhe kokteje të ndryshme, prodhohet edhe verë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here