Reduktim taksash për agroturizmin – Hoti: Paketë agresive me lehtësi fiskale

0

Sipërmarrjet që do të kategorizohen si agroturizëm do të përfitojnë lehtësira fiskale nga qeveria. Aktualisht janë miratuar standardet dhe ka filluar seleksionimi i sipërmarrjeve që do të përfshihen në këtë kategori, të cilat më pas do të pajisen me një certifikatë. Këshilltari i Ministrit të Bujqësisë, Enea Hoti, bën me dije për TV SCAN se cilat biznese do të marrin këtë status.

“Një agroturizëm, si parakusht duhet të ketë fermë, pra nuk mund të quhet agroturizëm po nuk pati një fermë bujqësore, një njësi blegtorale, ose njësi agrikulturore. Këto njësi janë të përcaktuara në vendim dhe madhësia e fermës, lloji i fermës që duhet të ketë, etj. Përveç kësaj, struktura akomoduese, ose ajo që quhet bujtina, është e përcaktuar në standardin nga një minimum dhomash deri në një maksimum. Gjithashtu edhe restoranti ka disa kritere, qoftë për kapacitetin pritës, por edhe për ushqimet që ofrohen aty. Nuk mund të ketë një agroturizëm që ofron ushqime të importuara, ose ushqime që nuk janë produkte tradicionale”, tha Hoti.

Për këto sipërmarrje qeveria parashikon një paketë agresive me lehtësi fiskale, dhe mbështetje me subvencione me qëllim zhvillimin e tyre.

“Mbështetja do të jetë mbështetje me lehtësira fiskale që po punohet për një paketë shumë agresive, por që akoma nuk është bërë prezentë dhe presim që muajin në vijim ta shpallim. Por ajo që është e rëndësishmja, edhe nga fondet e ministrisë, ne do të mbështesim jo vetëm bujtinat që kanë potencial dhe mund ta rrisin, duke u përshtatur me kapacitetet dhe kriteret që ka VKM, por edhe për krijimin e agroturizmeve të reja. Ka fonde që shkojnë nga 10 mijë euro deri në 150 mijë euro. Pra, janë fonde, grante në dispozicion për të mbështetur ekonominë rurale”, sqaroi Hoti.

Paraprakisht është menduar dhe po punohet për një nismë ligjore sipërmarrjet që operojnë në fushën e agroturizmit të kenë lehtësi të tilla si ato që përfitojnë sot hotelet me 5 yje,  pra të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të bëhet 6 për qind dhe Tatimi mbi Fitimin parashikohet të jetë zero, nga 15 për qind që është aktualisht.

Ndërsa ata që do të ndërtojnë në këtë sektor, do të jenë për 10 vjet të përjashtuar nga taksa në infrastrukturë. Megjithatë, paketa është ende në hartim dhe nuk ka marrë trajtë finale.

Elisabeta Dosku/SCAN

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here