Raporti skandaloz i KLSH: Ja si AZHBR abuzoi me fondet, dha para për qarqe që s’ka zhvillim bujqësor, përfituesit nuk likujduan kreditë pa interes

0

Kontrolli i lartë i shtetit ka publikuar sot rezultatit e auditit në Agjencinë për Zhvilimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ku ka konstatuar fakte skandaloze mbi funksionimin dhe mënyrës së operimit me subvencione nga ana e AZHBR. Periudha e auditimit të KLSH përfshin Janarin 2013-Shtatorin 2017 prej ku janë konstatuar se skemat e financimit nga AZHBR kanë patur mangësi të theksuara, prej nga janë rritur premisat për abuzime. AZHBR përdori vetëm 60% të fonit për investime. AZHBR u dha 26% të fondit për subvencione qarqeve Gjirokastër, Lezhë dhe FIER të cilat nuk kishin përputhje me zhvillimin bujqësor në vend. Më tej KLSH ka gjetur se 80% e përfituesve të kredive pa interes nuk kanë kthyer kreditë.

Më poshtë njoftimi i plotë i KLSH

Menaxhimi i burimeve njerëzore ka shfaqur probleme në strukturimin organik, formimin bazë, rekrutimin, trajnimin dhe vlerësimin e performancës etj.; kanë rezultuar me mangësi vetë procedurat e subvencionimit për skemat kombëtare të analizuara në dinamikë për kushtet dhe kriteret e përfitimit, si dhe zbatimit të tyre nga ana e AZHBR; fondet e dhëna për informim kanë rezultuar jo efektive, pasi mjetet e komunikimit kanë qenë të kufizuara, informacioni i pamjaftueshëm dhe jo cilësor, nuk është menaxhuar siç duhet etj.; financimet për mbrojtjen e ullirit nuk janë efektive, pasi nuk janë zbatuar siç duhet procedurat e prokurimit, nuk është vepruar në përputhje me kuadrin rregullator, verifikimet dhe monitorimet për këtë skemë nga AZHBR kanë qenë me mangësi, duke rritur premisat për abuzime nga ana e institucionit; fondet e investimeve të përfituara nuk janë shfrytëzuar si duhet në aspektin ekonomik, për të gjeneruar më pas të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e zinxhirit të vlerës që të mund të zhvillojnë projekte të besueshme për financim; ka munguar sektori i monitorimit për një periudhë 4-vjeçare, e si pasojë edhe monitorimi i skemave kombëtare të vogla dhe investimeve, duke e ulur ndjeshëm efektivitetin e fondeve të dhëna për ato.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 639/1, datë 09.10.2017 ka përfunduar auditimin performancës “Efektiviteti i granteve në AZHBR”, për periudhën Janar 2013 – Shtator 2017 të aktivitetit të këtij institucioni.

Me Vendimin nr. 209, datë 29.12.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, duke i rekomanduar AZHBR me shkresën nr. 639/7 prot., datë 30.12.2017 dhe Ministrisë së Bujqësisë me shkresën nr. 639/8 prot., datë 30.12.2017 përkatësisht 38 dhe 11 masa organizative për përmirësimin e gjendjes, me afat zbatimi kryesisht deri në gjashtë-mujorin e parë 2018.

 

Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë ulur efektivitetin  e përdorimit të fondeve buxhetore për bujqësinë nga ana e AZHBR:

 

  1. Mbi menaxhimin e stafit dhe specialistëve të AZHBR në funksion të zbatimit të procedurave të granteve:
  • Numri i inspektorëve të kontrollit në nivel qarku nuk ka qenë i mjaftueshëm për të kontrolluar dosjet e aplikuesve dhe përfituesve potencial brenda afatit të caktuar për vitet 2013-2014, duke krijuar në këtë mënyrë vonesa në përzgjedhjen e projekteve, ekzekutimin e pagesave ndaj përfituesve, për pasojë ndikim negativ në besimin e fermerëve ndaj granteve në skemat kombëtare të bujqësisë.
  • Rezulton një prirje negative e zvogëlimit të numrit të inspektorëve dhe specialistëve që angazhohen direkt me kontrollin dhe monitorimin e skemave kombëtare, dy nga aktivitetet e një rëndësie të veçantë për AZHBR, në raport me numrin e skemave kombëtare, numrin e përfituesve që duhet të kontrollojnë, shtrirjen e gjerë territoriale të investimeve që financohen, si dhe rritjes së përvitshme të vlerës së fondeve buxhetore, me pasoja në uljen e efektivitetit të granteve të dhëna.
  • Mungojnë studimet, analizat dhe planet e veprimit për përcaktimin e numrit të punonjësve në strukturën totale të AZHBR, por edhe të drejtorive në veçanti, si dhe të llojit të profesionit që duhet të mbizotërojë në strukturë, ka shkaktuar ulje të eficencës në kryerjen e detyrave dhe uljen e efektivitetit në realizimin me sukses të objektivave.
  • Për vitin 2015 AZHBR, si pasoj e mungesave në staf, kryesisht në drejtorinë e kontrollit, ka pasur performancë të ulët, duke ndikuar negativisht edhe në efektivitetin e granteve.
  • Kalimi i statusit të punonjësve nga shërbimi civil në kod pune në AZHBR, përbën një risk të konsiderueshëm në marrëdhëniet e punës së punonjësve me institucionin, sepse në këtë mënyrë titullari ka liri veprimi në rekrutimin, seleksionimin dhe largimin nga puna të punonjësve.
  • Mbizotërimi i profesioneve që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetet kryesore të AZHBR, afërsisht 64 % e profesioneve, si dhe rekrutimi i një pjesë të konsiderueshme të punonjësve në sektorin e kontrollit përgjatë viteve 2013-2017 në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga vetë AZHBR për pozicionin e Inspektorit të Kontrollit, ka ndikuar negativisht në realizimin me sukses të objektivave të AZHBR, kryesisht atë të përzgjedhjes, kontrollit dhe monitorimit të projekteve, duke i bërë këto të fundit jo efektive.
  • Mungesa e një sektori në AZHBR, për informimin dhe këshillimin e fermerëve për procedurat që duhet të ndjekin dhe dokumentacionin standard që duhet të dorëzojnë në AZHBR, e cila ka ndikuar negativisht në numrin e aplikuesve, duke ulur numrin e tyre, të përfituesve nga skemat kombëtare, është përgjegjësi e drejtimit të institucionit.
  • Rritja e numrit të stafit sipas strukturës së re të miratuar në vitin 2015, kryesisht në sektorin e kontrollit të skemave kombëtare, përballë mungesës së infrastrukturës së nevojshme për të realizuar në mënyrë të plotë dhe brenda kohës së caktuar kontrollin e skemave kombëtare, ka ulur ndjeshëm eficencën dhe efektivitetin e këtij funksioni.
  • Trajnimet nuk kanë rezultuar eficente dhe efektive, për shkak se: nuk janë në përputhje me nevojat e çdo drejtorie të AZHBR, janë të përqendruara në një numër punonjësish, janë të pabarabarta referuar viteve të eksperiencës, nuk kanë lidhje logjike me vitet e punës në AZHBR dhe ditët e trajnimit, duke ndikuar negativisht në performancën e atyre punonjësve që përbëjnë vazhdimësinë e institucionit.
  • Janë larguar afërsisht 62% e specialistëve të Drejtorisë së Kontrollit, ku një pjesë e konsiderueshme (30 prej tyre) janë me 3-6 vite eksperiencë në AZHBR me formimin e duhur profesional, duke ndikuar negativisht në vazhdimësinë e ushtrimit të aktiviteteve të AZHBR, por kryesisht në aktivitetin e kontrollit, si dhe në buxhetin e shtetit

 

  1. Mbi performancën e AZHBR në zbatimin procedurës së dhënies së granteve:
  • Viti 2017, konsiderohet një vit i mos-realizimit të objektivave, për shkak se: është ndikuar nga lëvizja e stafit në nivelet e larta drejtuese të AZHBR, ende nuk është përgatitur relacioni për planifikimin e fondeve sipas skemave kombëtare për këtë vit, për pasojë perfomancë e ulët të AZHBR dhe mungesën e orientimit të duhur të fondit për skemat kombëtare, duke ndikuar negativisht efektivitetin e tyre.
  • Procesi i aplikimit, kontrolli në terren, kontrolli administrativ kanë zgjatur tej mase, nga 2-3 muaj, mangësi e cila do të sjellë si pasojë ekzekutimin me vonesë të pagesave, si dhe do të rrisë numrin e përfituesve të prapambetur në vitin 2018.
  • Keq planifikimi, keq administrimi si dhe rialokimet e shpeshta të fondeve për skemat kombëtare brenda vitit, si pasojë e mungesës së kritereve për planifikimin e tyre, mungesës së përcaktimit të afateve për verifikimin në terren, kontrollit administrativ të aplikantit/përfituesit, si dhe paaftësia e AZHBR për të përthithur të gjitha fondet e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për skemat kombëtare, e ka shndërruar atë në një “debitore” të rregullt ndaj përfituesve të këtyre skemave.
  • Ulja e fondeve nga viti në vit për skemat e vogla dhe rritja e tyre për skemën e investimeve, ndërkohë që fondi total për bujqësinë ka ardhur në rritje, si dhe ndryshimet e shpeshta brenda vitit të buxheteve për këto skema, kanë ulur efektivitetin e AZHBR.
  • Udhëzimi i vitit 2017 ka penalizuar aplikantët me kriteret e vendosura, kryesisht ata të skemës së blegtorisë, lidhur me përfitimin financiar prej saj, ndryshime kanë rritur mundësitë për uljen e besimit ndaj skemave dhe uljen e efektivitetit të tyre, duke i bërë blegtorët të painteresuar ose në kërkimin e formave jo të rregullta për përfitimin e fondeve në këtë masë.
  • Studimet e MBZHRAU janë të vjetra në kohë dhe të pa përditësuara me ndryshimet e faktorëve (klimaterik, mjedisor), duke ndikuar negativisht në udhëzimet për përcaktimin e procedurave për skemat kombëtare si dhe në hartat e rajonizimit.
  • Mungesa e statistikave për arsyet e skualifikimit për periudhën 2013 – 2014, statistikave për ankesat që kanë fermerët ndaj AZHBR, si dhe mungesa e koordinimit, bashkëpunimit midis drejtorive të saj, tregon mungesë efektiviteti në veprimtarinë e këtij institucioni.
  • Në udhëzimet 2013-2016 nuk kanë qenë të formuluara saktësisht, kriteret e përfitimit nëpërmjet intervaleve me vlerat përkatëse, si dhe formula e saktë për llogaritjen e pikëve ndaj aplikantëve, duke rritur mundësinë për t’i penalizuar ata dhe ulur efektivitetin e skemave.
  • Nga shqyrtimi i procedurave të dhënies së granteve, si dhe nga pyetësorët zhvilluar me aplikantët dhe përfitues të skemave kombëtare, numri i dokumenteve për tu plotësuar ka ardhur në rritje nga viti në vit, duke rritur kostot financiare dhe atyre kohore për fermerin, për më tepër vështirësinë në fazën e aplikimit, me ndikim në efektivitetin e skemave kombëtare.
  • Mungesa e aksesit të AZHBR në regjistrin e blegtorisë RUDA, pasaktësitë e informacionit në të, kanë ndikuar negativisht në punën e inspektorëve të kontrollit, duke ulur eficencën dhe efektivitetin gjatë identifikimit dhe vlerësimit të numrit të kafshëve të gjalla për vitet 2013 – 2017.
  • Mungesa e informacionit për inspektorët e kontrollit në qark ndaj investimeve 50-60% ka ndikuar negativisht në performancën e punonjësve të AZHBR në qark.

 

  1. Mbi ndikimin e fondeve për publicitet në efektivitetin e granteve të dhëna:
  • Rritja e shpenzimeve buxhetore për informim mediatik nuk ka pasur lidhje me numrin e skemave përfituese, pasi numri i tyre për çdo vit ka qenë midis 15-19 skemave, si dhe nuk ka ndryshim as të llojit të skemave, duke sjellë si pasojë përdorim pa efektivitet të fondeve për informimin mediatik të publikut për skemat kombëtare të zhvillimit të bujqësisë dhe rural.
  • Rritja e fondeve për informimin e publikut nuk është shoqëruar me rritjen e numrit të aplikuesve, si dhe ka ndryshime të theksuara të raportit aplikues:përfitues nga 41.5 % në vitin 2014 në 98 % në 2015, duke demonstruar sasi dhe cilësi të dobët informacioni si dhe shpenzimet për këtë qëllim nuk kanë pasur ndonjë efekt të dukshëm dhe të matshëm në arritjen e objektivave për të cilën shpenzohen.
  • AZHBR nuk ka përgatitur strategji komunikimi për të përcaktuar objektivat, grupet e synuara, mjetet, treguesit etj., dhe një set indikatorësh për të matur efektivitetin e kësaj pjese të rëndësishme të fondeve buxhetore.
  • AZHBR është kufizuar vetëm në dy mjete informimi: në blerjen dhe shfaqjen e spoteve nga operatorët televizive, si dhe botimin në median e shkruar, megjithëse ka pasur mundësitë ligjore që të zgjerojë mjetet e komunikimit me publikun edhe me fletëpalosje, broshura, postera, takime informative rajonale, ëorkshop-e etj.
  • Veprimtaria menaxhuese e AZHBR në periudhën 2013-2016 për fondin e informimit është shoqëruar me mangësi të natyrave të ndryshme si: kanë munguar në këtë proces specialistë të komunikimit; ka raste të nisjes me shumë vonesë të zbatimit të procedurës; nuk janë përcaktuar tregues të efektivitetit të fondit etj., shoqëruar me shpenzime pa efektivitet në mbi 9 milion lekë, pasi janë transmetuar spote në dy periudha (faza) jashtë afatit të aplikimit, çka tregon se këto shpenzime nuk kanë qenë në funksion të informimit të fermerëve.
  • Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR nuk kanë hartuar dhe zbatuar një plan informimi dhe ndërgjegjësimi me të gjithë grupet e interesit për skemat e përfitimit, kriteret dhe kushtet që duhet të plotësojnë të gjithë përfituesit potencialë për të përfituar mbështetje financiare nga fondi i programit për mbështetjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin rural, sipas kërkesës së vendosur në udhëzimin përbashkët për zbatimin e skemave kombëtare.

 

  1. Mbi efektivitetin e financimeve buxhetore për mbrojtjen e ullirit nga insektet dëmtuese:
  • Mungesë qëndrueshmërie në treguesit e përfitimit të skemës së mbrojtjes ullishteve nga dëmtimi i mizës, pasi në periudhën 2014 – 2016 ka ndryshuar përcaktimin e fermerëve përfitues nga Ministria e Bujqësisë në DB, në përcaktimin e numrit të rrënjëve për ha, ndryshimit të formës dhe afatit të paraqitjes së listave etj., duke sjellë si pasojë çorientimin e përfituesve dhe ulje të efektivitetit të kësaj skeme.
  • Përcaktimet e sipërfaqes për trajtim nga ana e DB në vite kanë ndryshuar, pra nuk janë trajtuar sipas kësaj kërkese, duke ulur ndjeshëm efektin e kësaj mase në shkallë vendi si dhe në aplikimin e të gjithë fondit të akorduar.
  • Gjatë zbatimit të procedurës se prokurimit janë shfaqur mangësi në përcaktimin e fondit limit mbi bazën e ofertave të cilët nuk plotësojnë kërkesat përkatëse të një dokumentacioni zyrtar argumentues për këtë qëllim, por kanë vendosur kufirin maksimal prej 35,000 lekë të përcaktuar në VKM për këtë skemë.
  • Sipas dokumentacionit të sjellë nga DB konstatohet se nënshkrimet e fermerëve pothuajse janë të njëjta, dmth fiktive; hartat kadastrale nuk provojnë se janë blloqe mbi 50 ha; nuk ka datën e fillimit dhe të përfundimit të trajtimit për secilin bllok; etj., për pasojë dokumentacioni i sjellë nga DB nuk është në përputhje me udhëzimin përkatës, duke ulur ndjeshëm efektivitetin e kësaj mase.
  • KVO e ka shpallur fituesin, pa marrë shpjegime lidhur me vendosjen ecotrapeve numrit mesatar të rrënjëve të ullirit sipas loteve jo mbi bazën e faktit, por mbi bazën e ofertës.
  • Në fazën e monitorimit janë shfaqur mangësi në lidhje me sjelljen e listave të nënshkruara para përfundimit të kryerjes së shërbimit, duke përfshirë sipërfaqe me ullinjë që nuk janë nënprodhim, janë me pronar shtetin, të panënshkruar nga zyra e kadastrës etj., duke ulur ndjeshëm efektivitetin e fondeve për mbrojtjen e ullirit nga insektet dëmtuese.
  • Në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë në kundërshtim me VKM nr. 137, datë 22.02.2017 “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2016”, si dhe Udhëzimit të përbashkët të Ministrit të Bujqësisë dhe të Financave nr. 8, datë 31.03.2017, më datë 16.05.2017 ka kërkuar që shuma 202,256,506 lekë e akorduar për mbrojtjen e ullishteve nga dëmtimi i mizës së ullirit të kalojë në aparatin e Ministrisë së Bujqësisë. Kjo pasi vetëm 100 milion lekë do të vihen në dispozicion për mbrojtjen nga miza e ullirit dhe pjesa e tjetër për dëmtuesit e bujqësisë, duke i ka kaluar Ministrisë së Bujqësisë më datë 31.07.2017, pra jashtë afateve për të dhënë efektin e duhur në interes të fermerëve dhe zhvillimit rural.

 

  1. Mbi përdorimin me ekonomicitet të mbështetjes financiare të investimeve në bujqësi:
  • Brenda një periudhe 5 vjeçare ka pasur ndryshime të mëdha të nivelit të financimit, vlerës dhe aq më tepër të drejtimeve të investimit, gjë që tregon se nuk ka një strategji me objektiva të qarta dhe të matshme për të orientuar zhvillimin e bujqësisë në përputhje me strategjinë ndërsektoriale 2014-2020.
  • Renditje e zonës së Tiranës dhe Durrësit me vlerën e investimit më të lartë në periudhën 2014-2016 tregon se më shumë ka përfituar zhvillimi i biznesit në tërësi, se sa ai i lidhur me rajonet bujqësore të zhvilluara, ndërkohë që ka qarqe si ai Dibrës që nuk ka fare apo Kukësi, të cilat edhe si pasojë e mungesës së aplikimeve, kanë vetëm një përfitues në vitin 2015.
  • Kriteret e vendosura nuk kanë siguruar mbështetje prioritare të intensifikimit të bujqësisë ose veprimtaria informuese e AZHBR ka qenë kuptuar e diferencuar, si dhe paraqitja e projekteve të fryra dhe në pjesën më të madhe me zëra shpenzimesh të fshehta, të pamundura për tu verifikuar nga ana e specialistëve, si dhe mungesa e teknicienëve të fushës, e ka bërë joshëse këtë formë mbështetjeje me investime, por që deformon arritjen e objektivave të zhvillimit bujqësor dhe rural.
  • Përfitimi i investimeve sipas subjektit, llojit territorit, shumës etj., nuk shoqërohet me pasqyrimin e kësaj liste pranë AZHBR ose drejtorive dhe zyrave të bujqësisë në rrethe, ose paraqitja në ëebsite-n zyrtar të këtyre institucioneve, përfshirë dhe Ministrinë e Bujqësisë.
  • Duke analizuar 133 përfituesit gjithsej në periudhën 2014-2016, konstatohet se në 13 raste ose 10% e tyre janë të njëjtët subjekte që kanë përfituar nga dy raste në dy vite edhe të njëpasnjëshme, kryesisht në Lezhë dhe Korçë. Kjo për shkak edhe të mungesës së kufizimeve në kritere që të mos lejojë aplikimin për një periudhë të caktuar 5-7 vjeçare, për të siguruar jo vetëm një shpërndarje më të gjerë, por në të njëjtën kohë për të zbutur riskun e dështimit të investimeve, mjaft i pranishëm në fushën e bujqësisë. Për më tepër që një pjesë e konsiderueshme e tyre janë përfitues dhe në skemat e tjera të ashtuquajtura “të vogla”, si dhe janë kreditorë në banka të ndryshme, duke shkaktuar për pasojë mungesën e masivizimit të përfitimeve si dhe rritjen e riskut të dështimit.
  • AZHBR ka arritur të vërë në përdorim të zhvillimit të bujqësisë vetëm 60.2% të fondit gjithsej kundërparti të vënë në dispozicion, ose nuk janë përdorur për investime 120,911,079 lekë, në një kohë që burimet dhe rrugët e financimit të zhvillimit rural konsiderohen të pamjaftueshme.
  • Bazuar në shpërndarjen gjeografike konstatohet se kanë përfituar kredi pa interes 7 nga 12 qarqet, si dhe numrin (3) dhe vlerën më të madhe prej 26% të fondit është dhënë në qarkun e Gjirokastrës, Fier, Lezhë etj., gjë që nuk përputhet me zhvillimin bujqësor dhe rural në të gjithë vendin dhe me nivelin e zhvillimit brenda tij.
  • Dokumentacioni dhe procedura e dhënies së kredisë pa interes është shoqëruar me mangësi të shumta të cilat kanë sjellë pasoja në efektivitetin e ulët deri dhe të munguar të kësaj skeme.
  • Përfituesit e kredisë pa interes për vitin 2013, deri në maj 2017 nuk kanë shlyer detyrimet korrente për shumën 25,368,500 lekë ose 80 % të detyrimit, ndërsa përfituesit 2014 – 2015 nuk janë korrekt me këstet e shlyerjes për 11,549,563 lekë ose 60 % të detyrimit të periudhës, duke detyruar AZHBR që të hapë procese gjyqësore për 6 prej tyre. Në mos shlyerjen e detyrimeve ka ndikuar negativisht dhe lançimet e titullarëve të Ministrisë së Bujqësisë, për iniciativa për amnisti të këtyre detyrimeve, heqjen nga lista e debitorëve për t’ju krijuar mundësi aplikimi dhe përfitimi në të ardhmen.
  • Në periudhën korrik 2016-nëntor 2017 janë kryer kontrolle për 20 subjekte përfitues në mbështetje të investimeve 50% të vlerës së projektit të vitit 2014, nga ku ka rezultuar se në 4 raste ose 20 % të projekteve ka mangësi të ndryshme si mospërputhje të makinerive me kërkesën për autorizimin e pagesës, operacioni nuk funksionon sipas kontratës, subjekti nuk vazhdon aktivitetin sipas objektit të financimit etj., çka do të thotë në fund të fundit se 1/5 e projekteve të financuara nuk kanë ndihmuar në zhvillimin e bujqësisë dhe atë rural.

 

  1. Mbi monitorimin e granteve për zhvillimin e bujqësisë:
  • Mungesa e përcaktimit në udhëzimet e përbashkëta të MBZHRAU dhe MF në periudhën 2013-2017, funksionit të monitorimit për skemat kombëtare të vogla, përveç verifikimit para financimit dhe pas financimit 70 % të vlerës së investimit, ka ulur efektivitetin e fondeve të dhëna ndaj fermerit.
  • Mungesa e sektorit të monitorimit për periudhën 2013-2015, mungesa e analizës për përcaktimin e numrit të duhur të stafit të kësaj strukture, me qëllim mbulim sa më të mirë të monitorimit të investimeve, si dhe fillimi i aktivitetit të kësaj strukture rreth 10 muaj me vonesa nga momenti i krijimit, ka sjell ulje të eficencës dhe efektiviteti të AZHBR në ushtrimin e këtij funksioni, ka ndikuar negativisht në efektivitetin e fondeve të dhëna për skemat kombëtare.
  • Mungesa e manualit të detajuar për sektorin e monitorimit, metodologjisë për kryerjen e monitorimit, ka sjell ulje të efektivitetit gjatë ushtrimit të detyrave të këtij sektori dhe ulje të efektivitetit të fondeve të dhëna.
  • Mungesa e informacionin për indikatorët gjatë monitorimit të investimeve të cilët sigurojnë të dhëna reale dhe të qëndrueshme se sa efektive janë fondet e dhëna, ka ulur efektivitetin e funksionit të monitorimit.
  • Mungesa e auditimit të pagesave për skemat kombëtare të vogla për vitet 2013 dhe 2016 nga auditi, gjetjet dhe rekomandimet e varfra në përmbajtjen e tyre, si dhe auditimi rreth 3 % të totalit të përfituesve nga skemat e vogla, një vlerë shumë e ulët në krahasim me periudhën prej 4 vitesh, tregon për një performancë të ulët të këtij sektori, duke ndikuar negativisht edhe në matjen e efektivitetit të AZHBR ndaj skemave kombëtare.
  • Mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit në kohë midis sektorit të monitorimit dhe sektorëve të tjerë të AZHBR (sektori i autorizimit të pagesave), ka ndikuar negativisht në punën e sektorit të monitorimit.

 

KLSH, me shkresën nr. 639/6 prot. dhe nr. 639/9 prot., datë 30/12/2017, ia ka bërë të njohura rezultatet e këtij auditimi përkatësisht Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si dhe Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

 

Shënim. Në faqen në internet të KLSH-së gjendet i plotë Vendimi i Kryetarit të KLSH me nr. 209, datë 29.12.2017 në lidhje me këtë auditim.

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here