Rama: Mbyllim këtë vit kapitullin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore

0

Teksa ka prezantuar programin  qeverisës nga foltorja e kuvendit kryeministri Rama ka deklaruar se në këtë katër vjeçar do mbyllet përfundimisht kapitulli shumëvjeçar I titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.

“ Një strukturë e posaçme do të bëjë inventarin e pronave të shtetit që nga rrugët që janë ende, thuhet pronë publike, por mish për topat e sekserëve nëpër hipoteka, deri tek të gjitha tokat e lira bujqësore, apo turistike, të cilat nuk mund të lihen më në dorën e grabitqarëve dhe sekserëve të këtij vendi.”-tha kryeministri.

Fenomeni i mungesave në plotësimin e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore është masiv në gjithë vendin, veçanërisht në zonën verilindore të vendit,  në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës e Lezhës, ku 60 deri në 70% e tokës rezulton pa dokumente nga komisionet.  Një nga arsyet kryesore që nuk është mbyllur dhënia e tapive, është edhe vonesa në korrespondencën administrative mes institucioneve. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e komunave dhe bashkive, të cilat kanë në juridiksionin e tyre tokë bujqësore me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore, ende nuk kanë përfunduar procesin e plotësimit të dokumentacionit të pronësisë. Ndërsa shtetasit, ndonëse e përdorin faktikisht tokën bujqësore, nuk disponojnë dokumentacionin e pronësisë mbi të, çka pengon në formalizimin e tyre, përfitimin e subvencioneve nga buxheti i shtetit, kryerjen e transaksioneve etj.

Një vit më parë qeveria shtyu për dhjetor të këtij viti afatin e përfundimit të procesit të plotësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Afati, aktualisht, mbaronte në 30 qershor 2016, ndërsa qeveria propozoi  të shtyhet deri në dhjetor 2017.  Procesi i vlerësimit të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, kryhet nga komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pranë prefektëve të ҫdo qarku dhe mbikëqyret nga Komisioni Qeveritar i Tokës. Nga raportimet e komisioneve vendore rezulton se gjatë gjithë veprimtarisë, deri më 31 dhjetor 2015, janë paraqitur 18 500 kërkesa nga qytetarët dhe institucionet shtetërore. Nga të cilat 10 065 kërkesa janë mbyllur me përgjigje administrative dhe për 3 482 kërkesa janë marrë vendime administrative. Sipërfaqja e trajtuar nga këto vendime është 1142,43 ha tokë bujqësore.

Rreth 75% e kërkesave të paraqitura në gjykatë për vendimet për pavlefshmëri të titujve të pronësisë, nuk janë shqyrtuar përfundimisht ende nga gjykatat e të gjitha shkallëve. Kjo kërkon që komisionet në vijim të ndjekin proceset gjyqësore, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor. Për të trajtuar kërkesat e papërfunduara, me vendim administrativ, për të ndjekur volumin e madh të procedurës gjyqësore, për kërkesat e paraqitura në gjykatë, duke patur parasysh volumin e madh të punës me sistemin gjyqësor, si dhe ankimet që paraqiten në lidhje me titujt e pronësisë që plotësojnë bashkitë, është propozuar që afati i përfundimit të këtij procesi të jetë në datën 31 dhjetor 2017.(bionews.al)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here