Tregtia e lirë bashkon prodhuesit nga Shqipëria dhe Kosova – Ultimatum drejtuar dy qeverive, në të kundërt protesta në dogana

0

Sot, u mbajt konferenca e përbashkët në mes të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë, për heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe Ministri i Tregtisë Bajram Hasani.
Përfaqësuesit e tri organizatave biznesore u mblodhën për të adresuar kërkesat specifike drejtuar qeverive përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë, lidhur me problematikat që prodhuesit kombëtare të dy shteteve (Kosovë dhe Shqipëri), hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, i cili edhe e hapi konferencën tha se ka një rritje të shkëmbimit tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, Kosova ka 50 milionë euro eksport në Shqipëri, por siç tha ai krahasuar me potencialin, ky është një volum ende i ulët. Ai njëkohësisht ftoi Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të implementojnë marrëveshjet e arritura deri më tash.

“Dy qeveritë kanë nënshkruar 15 marrëveshje deri më sot, por kjo nuk po reflektohet në lehtësimin e plasimit të prodhimeve të Kosovës në Shqipëri, për në tregun e Shqipërisë, duhet të jetë vazhdimësi e tregut të Kosovës”, theksoi Panxha.

Presidenti i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, Filip Gjoka, shtroi rëndësinë që ka implementimi i këtyre marrëveshje në shtrimin e një klime të përshtatshme për të bërit biznes për të dyja vendet.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj bëri të ditur se nuk do të mungojë mbështetja institucionale për prodhuesit e të dyjave vendeve. Ai tha se për Kosovën dhe Shqipërinë është një lajm i mirë që dy promotorët e dy vendeve po bëjnë presione pozitive në drejtim të zhvillimit të ekonomisë të të dyja vendeve. Limaj shtoi se “Sikurse Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Shqipërisë e kanë për detyrë që të mbështesin krijimin e një partneriteti të fuqishëm të bizneseve, dhe se të dyja vendet duhet të heqin të gjitha taksat.”

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani bëri të ditur se bilanci tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë është 3 me 1, ku Kosova i eksporton Shqipërisë vetëm 50 milionë, ndërsa kjo e fundit i eksporton Kosovës rreth 150 milionë.

“Ne jemi duke punuar shumë si ministri që produktet të jenë sa më cilësore edhe për tregun evropian. Është lajm i mirë që dy prodhuesit andej dhe këndej kufirit kanë rënë dakord mes vete.  Ne do t’i rrimë krah prodhuesit tonë aty ku na lejon ligji, duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Jemi duke punuar që sa më shpejt të procedojmë ligjin për tregti të brendshme”, tha ai.

Kërkesat e përfaqësuesve të tri organizatave biznesore ju dorëzuan zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës Fatmir Limaj në fund të konferencës./Gazeta Bujku

Deklarata e përbashkë e pridhuesve të Kosovës dhe Shqipërisë

TË NDERUAR PËRFAQËSUES TË MEDIAVE,

TË NDERUAR SIPËRMARRËS,

“Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” në bashkëpunim të ngushtë me “Klubin e Prodhuesve të Kosovës” dhe nën kujdesin dhe mbështetjen e “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë”, janë mbledhur sot në Prishtinë për të nënshkruar kërkesat specifike drejtuar qeverive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me problematikat që sipërmarrjet kombëtare të dy shteteve (Shqipëri dhe Kosovë), hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.

Pjesa e parë e kërkesave konsiston në problematikat dhe procedurat tarifore dhe jo-tarifore në sektorin doganor, konkretisht si më poshtë:

1. Heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë;

(Kërkesa i drejtohet qeverisë së Shqipërisë, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 maj 2018).

2. Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republiken e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri;

(Kërkesa i drejtohet qeverisë së Kosovës, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 prill 2018).

3. Njohja e çertifikimeve dhe analizave fitosanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe çertifikatave;

(Kërkesa i drejtohet të dy qeverive si Shqiptare dhe asaj të Kosovës, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 mars 2018).

4. Thjeshtimi i procedurave për eksportimin e produkteve farmaceutike për sipërmarrësit e Kosovës dhe Shqipërisë;

(Kërkesa i drejtohet të dy qeverive si Shqiptare dhe asaj të Kosovës, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 mars 2018).

5. Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve.

(Kërkesa i drejtohet të dy qeverive si Shqiptare dhe asaj të Kosovës, afati i përmbushjes së kësaj kërkese 30 prill 2018).

6. Të rishikohet kufiri për akcizën e birrës. Aktualisht është 200.000 hektolitër. Në mënyrë që konkurrenca të jetë në favor të të gjithë sipërmarrësve kërkohet që kufiri të vendoset:
a) ose të ulet në 50.000 hektolitër;
b) ose të ngrihet në 500.000 hektolitër.

(Kërkesa i drejtohet qeverisë Shqiptare, afati i përmbushjes së kësaj kërkese është 30 mars 2018).

Pjesa e dytë e kërkesave konsiston si më poshtë:

1. Të hartohet një plan i përbashkët strategjik i dy qeverive, për eleminimin e të gjithë barrierave tarifore dhe jo-tarifore në qarkullimin ekonomik dhe tregtar;

2. Të hartohet një plan i detajuar i mundësive dhe potencialeve që ofrojnë shtetet tona për një ekonomi komplementare në kontekstin e investimeve të përbashkëta;

3. Të hartohet një axhendë e specifikuar lidhur me njehsimin e sistemeve fiskale në kontekstin tarifor dhe procedurial;

4. Të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë”, përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës” si dhe përfaqësues të “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë”.

(Afati për katër pikat e fundit është mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive).

Në rast se qeveritë nuk do të përmbushin kërkesat sipas afateve të përcaktuara, atëherë Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, si dhe Forumi Ekonomik i Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë, do të përshkallëzojë me protesta në të gjithë pikat doganore.

_______________ _________________ _________________
Z. Astrit PANXHA Z. Filip GJOKA Z. Nagib FEJZI

Drejtor Ekzekutiv President Kryetar
KPK AMU FEPKSH

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here