Priten lehtësi fiskale për agroturizmin, kush certifikohet i hiqen taksat për 10 vjet, TVSH 6%

0

Qeveria ka në diskutime një paketë lehtësuese për agroturizmin, e cila pritet që të mbështesë zhvillimin e tij. Aktualisht në tryezë po diskutohen disa opsione për stimujt që do t’i jepen të gjithë atyre që operojnë në këtë sektor por gjasat janë që skema të jetë e ngjashme me atë që po aplikohet nga qeveria për investitorët me status të veçantë në turizëm.

Burime nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural bënë të ditur për “Monitor” se qeveria po mendon që të gjithë ata që do të marrin certifikimin sipas standardit të përcaktuar nga qeveria për agroturizmin mund të përjashtohen 10 vjet nga taksat. Nga ana tjetër, Kryeministri e ka deklaruar tashmë se tek TVSh-ja për këto subjekte do të jetë 6%. Kjo do të thotë që çdo shërbim që ofrohet prej tyre të faturohet me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar 6%.

Deri më sot. si pjesë mes sektorit të bujqësisë dhe turizmit, agroturizimi nuk kishte një standard që shërbente për certifikim. Në mbledhjen e fundit të qeverisë u përcaktua pikërisht ky standard duke dhënë edhe kushtet që duhet të plotësojë një subjekt që operon në veprimatinë e agroturizmit për tu certifikuar. Vetëm marrja e këtij certifikimi do t’i sigurojë atij përfitimin nga stimujt fiskalë.

Vendimi i qeverisë përcakton se certifikimi nuk është i përhershëm dhe ai duhet të rinovohet çdo pesë vjet. Subjekti aplikon pranë komisionit të ngritur për këtë qëllim nga dy ministritë përkatëse, Bujqësia dhe Turizmi dhe më pas, nëse plotëson kriteret, përfiton edhe certifikimin.

Referuar përcaktimit në ligj ky komision duhet të ngrihet tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit që duke kaluar të gjjtha hallkat e nevojshme pritshmëria është që Komisioni të nise punën në muajin prill

Kriteret që duhet të plotësohet për certifikimin në agroturizëm

Agroturizmi, si veprimtari, mund të zhvillohet në ferma, që plotësojnë këto kritere:

–  Ferma bujqësore duhet të ketë, të paktën, 1 ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë sera;

–   Ferma blegtorale duhet të mbarështojë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë. Te fermat blegtorale klasifikohen edhe stanet;

–    Ferma peshkimi/akuakulturë.

  1. Agroturizmi mund të zhvillohet edhe në njësi agrikulturore, që kanë si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e akuakulturës (si p.sh. pika përpunimi të vajit të ullirit, kantina të përpunimit të rrushit/frutave, pika përpunimi të bulmetit/baxho, peshkut, ferma akuakulture etj.), të cilat janë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive të agroturizmit.

 

  1. Subjektet, që zhvillojnë veprimtari pritëse të klasifikuar si “Agroturizëm”, duhet të ofrojnë, minimalisht, njërin nga shërbimet e mëposhtme:
  2. a) Akomodim;
  3. b) Ushqim dhe pije;
  4. c) Veprimtari argëtuese/çlodhëse, të lidhura me fermën ose mjedisin përreth.
  5. Subjektet agroturistike, që ofrojnë akomodim, duhet të kenë një kapacitet nga 6 deri 30, por jo më shumë, dhoma pritëse.
  6. Strukturat, në të cilat ofrohet shërbimi i akomodimit, sipas klasifikimit të ligjit për turizmin në fuqi, duhet të respektojnë kriteret urbanistike dhe kriteret e tjera në fuqi për ndërtimin, të përcaktuara në planet e përgjithshme vendore. Atje ku është e mundur, godinat duhet të respektojnë traditat lokale të ndërtimit.
  7. Akomodimi mund të ofrohet edhe në formën e fushimit, me ambiente për vendosjen e çadrave apo të makinave të fushimit. Në këto raste, subjekti agroturistik garanton kushtet minimale higjieno-sanitare (si p.sh. tualet, ujë të pijshëm, pikë grumbullimi të mbeturinave, lidhje me energjinë elektrike) për një kapacitet maksimal prej 15 makinash fushimi.
  8. Ofrimi i ushqimit dhe i pijeve bëhet në ambiente të përshtatshme dhe që plotësojnë normat në fuqi për ushqimin dhe kushtet higjieno-sanitare. Struktura pritëse, ku ofrohet ushqim dhe pije, duhet të ketë, minimalisht, 6 deri në 60, por jo më shumë, tavolina.
  9. Ushqimi dhe pijet e ofruara në subjektet agroturistike duhet të jenë me origjinë nga ferma (të prodhuara ose të përpunuara në fermë/njësinë agrikulturore), minimalisht në 30% të sasisë së tyre. Nga 30% deri në 70% të produkteve ushqimore/pijeve lejohet të jenë me origjinë lokale, të prodhuara apo të përpunuara nga prodhues lokalë, që kryejnë aktivitet në bashkinë ku ka selinë agroturizmi.
  10. Subjektet agroturistike ofrojnë/mundësojnë për vizitorët e turistët veprimtari argëtuese/çlodhëse, që lidhen me fermën (si p.sh., por pa u kufizuar në, mbjellje/vjelje të produkteve bujqësore, aktivitete të lidhura me kafshët, peshkim artizanal, degustim të produketeve etj.) ose jashtë fermës (si p.sh., por pa u kufizuar në, hipizëm, alpinizëm, ecje në natyrë etj.).MONITOR

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here