Po bëhet ligji i ri, qentë do regjistrohen njëlloj si armët

0

Nga Aurora Golemi/News 24

Nuk kanë qenë të pakta ngjarjet kur qen të rrezikshëm kanë sulmuar qytetarët. Në shumë raste qentë levizin në ambiente publike pa maska, apo qafore mbrojtëse… Disa raca jane ne  listën e zezë të qenve të konsideruar agresivë e të rrezikshëm. Madje në disa vende diskutohet që ata të mos lejohet të mbahen në familje dhe në ambiente publike . Një bazë e re ligjore po përgatitet nga Drejtoria Veterinare në Ministrinë e Bujqesisë. Drafti që po përgatitet parashikon që të paktën 10 raca qensh të konsideruara agresive dhe të rrezikshme, të matrikulohen me çip dhe të pajisen me pasaporta të veçanta. News 24 intervistoi  Drejtorin e  Drejtorisë Veterinare Edi Ferko i cili sqaroi më tej se drafti i ri parashikon që  pronarët duhet t’i regjistrojnë kafshët që mbajnë në shtëpi, në të njëjtin vend ku regjistrohen dhe armët. Madje ai paralajmëroi se do ketë  sanksione të rrepta dhe penalitete për pronarët e qenve që nuk zbatojnë ligjin.  Ngjarja makabre ku një vogelushe shqiptare u sulmua në Itali nga qentë pitbull të familjes tronditi jo pak opinion publik dhe ngriti shumë pikepyetje për shkakun pse ndodhi. Dhëmbët e dy pitbulleve i morën jetën tragjikisht vogelushes shqiptare Viktoria në kopshtin e familjes së saj  në Flero të shtetit fqinjë të dielën e kaluar. Specialistët hodhën dyshime se Viktoria iu ngacmoi qenve ushqimin, prandaj u sulmua fatalisht deri në vdekje. Krahët e gjyshit nuk e mbrojtën dot vajzën nga pitbullet e pamëshirshëm. U desh breshëria e plumbave  të karabinierëve që pitbullat të ndalonin sulmin.

News 24 intervistoi dhe veterinerin Roland Macaj (ne foton poshte) i cili thotë se pavarësisht incidenteve tragjike qentë pitbull janë miqësorë me familjen

 

INTERVISTA

Sa i rrezikshëm mund të bëhet një qend pitbull dhe a duhet ta nënvlerësojmë forcën e këtyre kafshëve?

Qeni i llojit pitbull fizikisht i fuqishëm, por kjo nuk do të thotë se nuk është miqesor në familje. Karakteri i qenit formohet nga mënyra sesi ne e edukojmë dhe e trajtojmë qysh kur është këlysh. Qeni është roje i fëmijëve dhe ne mund të rrimë pa frikë pasi nuk është i rrëzikshëm për ta.

A shfaq shenja xhelozie qeni pitbull ?

Qeni nuk shfaq shenja xhelozie, por kur nëse ne familje shtohet një pjesëtar i ri qeni është shumë kurioz t’i qendrojë pranë.

Çfarë mendon se ndodhi me qentë pitbull në rastin e  vajzës në Itali? Përse e sulmuan?

Duhet të kuptojmë qëllimin pse kanë qënë në shtëpi. Qeni ka pjesë të karakterit egërsinë, e kanë të natyrshme, janë të egër, por varet si e mëson, dhe nëse e mëson të jetë i shoqërueshëm, i dashur ..Vajza ka prekur diçka u  ka ngacmuar ushqimin, por me siguri e kanë shfaqur dhe  më parë agresivitetin dhe ky ka qënë fatal

Çfarë duhet të bëjnë prindërit nëse qeni shfaq shenja agresiviteti ndaj femijës?

Mire është që të kontaktojnë me njerëz specialistë, të marrin këshillat e nevojshme, por duhet thënë që sulmet janë të rralla nga qentë pitbull.

 

Fqinjët e familjes shqiptare në Itali thanë për median se dy qentë kishin shfaqur edhe më herët shenja agresiviteti ndaj tyre dhe qenve në lagje,  por prindërit e vajzës nuk kishin marrë asnjë masë. Ekspertët në botë bien dakord se fëmijët që janë nën moshën e fillimit të shkollës në asnjë mënyrë nuk duhen lënë vetëm me qenin. Nëse qeni apo fëmija kane sjellje të rrëmbyera dhe agresive atëhere kujdesi dhe vigjilenca e prindërve duhet të jenë maksimale.

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here