Pikat e therjeve te bagëtive të mbyllura nga AKU nuk do hapen më kurrë(VIDEO)

0

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi ka inspektuar thertoren e Elbasanit ku gjeti rastin të bëjë me dije për aksionin e nisur në të gjithë vendin për kontrollin dhe mbylljen e të gjitha pikave të therjes të cilat nuk plotësojnë sdandardet. “Drejtoritë rajonale të AKU-së në të gjithë Shqipërinë janë në një aksion, por mua nuk më pëlqen ta quaj aksion sepse nuk është një punë që fillon dhe mbaron pas një periudhe kohe, nuk është punë task-force, por është një punë e sapofilluar dhe që nuk do të mbarojë asnjëherë sepse siguria ushqimore nuk është çështje aksionesh. Duhet ta pranojmë, duke u skuqur, për hir të së vërtetës, se ne kemi dështuar, krahasuar edhe me vendet përreth, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën dhe padyshim me çdo vend të BE-së ku sistemi i sigurisë ushqimore, zinxhiri i kontrollit është i ngritur nga ferma në tavolinë.”

Nga kontrollet e ushtruara vetëm ditët e fundit janë mbyllur 84 subjekte therje në të gjithë vendin, mes të cilave 76 pika therje dhe 8 thertore të cilat nuk plotësonin asnjë standard. “Pikat e therjes që janë mbyllur, si të pashpresa se mund të arrijnë ndonjëherë standardet, sepse janë vite dritë larg standardeve ligjore nuk do të hapen më. Askush nuk duhet të guxojë t’i hapë ato natën, larg syrit të inspektorëve apo të shtetit.”Mungesa e standardeve theksoi Ministri ka bërë që Shqipëria të mos mund të eksportojë produkte shtazore në asnjë vend të botës, ndërsa masat e marra do të rekuperojnë sa më shpejt të jetë e mundur kohën e humbur. “Ambicia jonë është që brenda pak viteve, mundësisht brenda gjysmës së parë të këtij mandati, ne të arrijmë të drejtën e eksportit të produkteve shtazore Që të arrijmë të drejtën e eksportit të produkteve shtazore, drejt BE-së duhet të plotësojmë kërkesat, pra të ngremë sistemin e sigurisë ushqimore. Përsa i përket mishit, nëse ne do të lejojmë therje të mishit në rrugë apo në pika të palicensuara, as që bëhet fjalë të pretendojmë hapësirë në tregun europian.”Kontrolli nuk është fokusuar vetëm tek pikat e therjes apo thertoret, por edhe tek dyqanet e mishit dhe si pasojë janë mbyllur 107 dyqane duke u sekuestruar 2970.3 kg mish.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here