Perimet dhe pemët frutore dominuan rritjen e prodhimit në bujqësi

0

Rritja e prodhimit bujqësor vendas gjatë vitit 2016, u dominua nga rritja e prodhimit të perimeve, bostanëve, pemëve frutore dhe drithrave në përqindje më të vogël.

Prodhimi vendas i perimeve të freskëta, u rrit me 9.6% gjatë vitit 2016, kundrejt një viti më parë, bëri të ditur sot Instituti i Statistikave (INSTAT).

Sipas INSTAT, niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 373.406 ton, Tiranë me 121.661 ton dhe Berat me 120.105 ton.

Prodhimi i drithërave, në vitin 2016, është 698.400 ton, duke shënuar një rritje me 0,4 %, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 156.530 ton, e pasuar nga qarqet Elbasan me 98.535 ton dhe Korçës me 88.451 ton.

Ndërsa në grupin e perimeve peshën më të madhe e zënë perimet e njoma me 65,5 %, të pasuara nga bostanoret me 24,5 % dhe perimet e thata me 10,0 %.

Sipas INSTAT, numri i rrënjëve të pemëve frutore në prodhim në vitin 2016 është 10.575.000, duke pësuar një rritje me 3,8 %, në krahasim me vitin 2015.

Instituti i Statistikave bën të ditur se, numri i rrënjëve të ullinjve në prodhim në vitin 2016 është 6.643.000 dhe ka pësuar një rritje 4,9 %, në krahasim me vitin 2015. Numri i rrënjëve të agrumeve në prodhim në vitin 2016 është 1.044.000, duke shënuar një rritje 9,8 %, në krahasim me vitin 2015.

Ndërsa sipërfaqja e vreshtave në prodhim është 10, 011 ha, duke pësuar një rritje me 1,2 %, në krahasim me vitin 2015. Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2016 është 261.754 ton dhe u karakterizua nga një rritje prej 7,6 %, krahasuar me 2015. Në vitin 2016 u prodhuan 99.075 ton ullinj duke pësuar një rritje 3,2 %, krahasuar me një vit më parë.

Prodhimi i agrumeve në vitin 2016 është 40.000 ton, duke shënuar një rritje prej 33,3 %, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve u arrit në qarkun e Vlorës me 23.379 ton, citon INSTAT. (ATA)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here