Në 2018 nis Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave, ekspedita në të paktën 700 grup sipërfaqesh

0

Shqipëria nisi gjatë 2016 një mase të rëndësishme siç ishte ajo e moratoriumit të pyjeve me një afat 10 vjeçar. Kjo erdhi pas konstatimeve të bëra në terren ku një pjesë e mirë e sipërfaqes pyjore është dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe nevoja për ripërtëritje dhe ndërhyrje ishte e madhe. Viti 2018 duket se do të ketë një tjetër nismë të rëndësishme sa i përket pyjeve që është inventarizimi i tyre. Edhe ky  proces kryhet një herë në 10 vjet për të bërë një bilanc të situatës. Në planin e monitorimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2018 është përfshirë pikërisht edhe ky projekt.

“Gjatë vitit 2018 do të realizohen matjet në terren. Qëllimi i Inventarit Kombëtar te Pyjeve dhe Kullotave ne Shqipëri është vlerësimi i përbërjes aktuale te burimeve pyjore Shqiptare ne një mënyrë përfaqësuese dhe te riprodhueshme. Te dhënat nga IKPK do te përdoren për te vlerësuar stokimin e karbonit përmes përllogaritjes se shifrave te biomasës se pyjeve dhe kullotave të Shqipërisë dhe emetimin e gazeve serre te shoqëruar me ndryshimin e përdorimit te tokës” thuhet në dokumentin e AKM.

Gjatë zhvillimit të inventarit do të  regjistrohet dhe vlerësohet shtrirja, gjendja dhe përbërja aktuale e burimeve pyjore e kullotave te Shqipërisë, ne mënyrë te sakte dhe riprodhuese. Ky inventar  konsiderohet si një trajtim i pastër statistikor i inventarit te pyjeve që po ndërmerret në vend për të siguruar vlerësimin e gjendjes së rritjes së fondit të volumit te pyjeve e kullotave të Shqipërisë.

Për këtë qëllim nga agjencia parashikohet të ndërmerren ekspedita në të paktën 700 grup sipërfaqesh provë (500 në pyje dhe 200 në kullota) të mire vendosura.

Inventari do të shërbejë edhe si një burim të dhënash edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të kuptuar nëse moratoriumi po funksionon apo jo pavarësisht se është ende herët për të kuptuar ndikimin.

Në një raport të publikuar pak kohë më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtruar në disa parqe kombëtare vihej theksi në faktin se ende moratoriumi nuk ka ndalur prerjen pa kriter të pyjeve dhe se ndonjëherë, mungesa e burimeve njerëzore për të kontrolluar terrenin apo indiferenca e institucioneve kanë vënë në pikëpyetje këtë nisëm.-MONITOR

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here