Modele austriake për fermat blegtorale shqiptare

0

(ATA) Sipërmarrësit austriake shprehin interes për të investuar në sektorin e bujqësisë dhe veçanërisht,  në atë të blegtorisë në Shqipëri.

Zyra Tregtare pranë ambasadës Austriake në Tiranë, organizoi sot në Tiranë takimin me temë “Misioni Ekonomik-Bujqësia në Shqipëri”, ku merrnin pjesë ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato,  Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, Zv. Atashehu Austriak Tregtarë për Shqipërinë Eva Pfurtscheller, një delegacion prej 13 firmash austriake nga sektori agrar me fokus kryesisht blegtorinë, si dhe sipërmarrës e biznesmenë shqiptarë që operojnë në sektorin e rural.

Ministrja Qato, tha se, ky aktivitet është një mundësi shumë e mirë në vendosjen e urave të bashkëpunimit mes sipërmarrjeve të dy vendeve por dhe kontakteve të drejtëpërdrejta për zhvillimin e partneriteteve të mundshme në fushën agrare, me qëllim që prodhimet shqiptare të arrijnë standardet e tregjeve europiane.  

Shqipëria dhe Austria janë dy vende që kanë kanë shumë burime natyre të përbashkëta dhe kemi shumë mundësi për të rritur shkëmbimin e eksperiencës së sipërmarrësve austriakë në vendin tonë, pasi Shqipëria tha Qato, ofron potenciale të mëdha, jo vetëm në fushën rurale, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Eksperienca austriake do të ishte një model i mirë jo vetëm në zhvillimin e blegtorisë por edhe të agroturizmit në Shqipëri”, theksoi ajo.

Duke e çmuar këtë aktivitet në nxitjen e bashkëpunimeve të mundshme mes sipërmarrësve shqiptarë dhe atyre austriak, ministrja Qato shprehu mbështetjen e qeverisë në krijimin e modeleve austriake në fushën e blegtorisë në vendin tonë dhe kryesisht në zonat malore, që siç tha ajo, i japin impakt zhvillimit të bujqësisë e agroturizimit.

“Marrja e një shembulli të vendit tonë nëpërmjet ngjashmërive që kanë strukturat e sipërmarrjes në Austri do të ishte një potencial shumë optimal për zhvillimin, sidomos të zonave malore të vendit tonë, zona potencialisht të zhvilluara apo të dedikuara për zhvillimin e blegtorisë, por edhe të agroturizmit. Ndaj, duke patur si model edhe mënyrën austriake të të bërit biznes në këto fusha, do të ishte vërtetë një pikë kontakti shumë e rëndësishme dhe një model apo një shembull shumë i rëndësishëm për ekonominë tonë, sidomos për zhvillimin e zonave rurale dhe zonave malore të vendit, si në turizëm, por edhe në blegtori”, tha ministrja Qato.

“Buxheti i vitit 2018 , tha ajo përçon një rritje prej 15% krahasuar me vitin 2017, që i jep prioritet zhvillimit të përgjithshëm të zonave rurale. Qeveria ka një strategji të qartë për zhvillimin e këtij sektori kaq të rëndësishëm për vendin, ndërsa ka programuar 10 produkte bazë të standardizuar që e bëjnë Shqipërinë mjaft të kërkuar edhe në tregjet europiane”, tha Qato.

 Ambasadori austriak:  Potencialet shqiptare mundësi për investime

Ndërsa Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, e vlerësoi sektorin e bujqësisë në vendin tonë si katalizatorë që do t’i japë një zhvillim akoma edhe më të madh turizmit shqiptarë.

“Vitet e fundit sektori i turizmit në Shqipëri ka shënuar rritje të madhe, por i mbështetur edhe nga prodhimi vendas bujqësor dhe blegtoral, ky sektor do të jetë akoma më i preferuar për turistët e vizitorët”, tha ai.

 Në vendin tuaj , vijoi ambasadori, janë disa zona që shqyhen për prodhime tradicionale dhe shumë cilësore, kështu Lushnja apo Divjaka janë me potencialet që kanë në furnizimin e Shqipërisë me fruta dhe perime, janë një mundësi e mirë për investitorët austriak.

Gjatë këtij takimi, Zv. Atashehu Austriak Tregtarë për Shqipërinë, Eva Pfurtscheller, vuri theksin në zgjerimin e bashkëpunimeve crossborder mes vendeve të rajonit në fushën e bujqësisë.

Sipas saj këto bashkëpunime jo vetëm nxisin shkëmbimet tregtare mes vendeve por janë një mundësi e mirë për thithjen e financimeve nga BE për projektet e përbashkëta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here