Mbarështimi i gjelit të detit në Zadrimë/ Fermerët: Punojmë gjithë vitin për darkën e Vitit të Ri

0

Tryeza e natës së ndërrimit të viteve nuk ka kuptim pa pjatën tradicionale të gjelit të detit.

Tashmë është kthyer në një traditë pothuajse për çdo familje dhe gjeli i detit mbetet simbol i kësaj nate. Por pak dimë se sa punë dhe mund iu duhet fermerëve për të mbarështuar këtë shpend, i destinuar që të konsumohët vetëm në ditë festash.

Zadrima e Lezhës njihet për mbarështimin e këtij shpendi dhe fermerët përgjatë gjithë vitit kujdesen për rritjen e gjelit të detit për ta tregtuar në prag të festave të fundvitit.

Mjafton të kalosh në superstradën Lezhë -Shkodër, rastësisht apo qëllimisht për të parë tufa të tëra të këtyre shpendëve teksa fermerët i kanë nxjerrë në fusha për të kullotur, apo farë afër rrugës me qëllim reklamimin e tyre tek kalimtarët.

Dikush ka një tufë të vogël dhë përpiqet që me të, të nxjerrë të ardhura për familjen e ndërsa të tjerë të cilët e kanë kthyer në një biznes të mirëfilltë mbarështimin e gjelit të detit kanë deri në 1500 krerë.

Fermeri Gjon Zefi nga Maba ka një tufë prej 1500 krerë gjela deti dhe që në fillim të muajit ka nisur shitjen e tyre, ai shpreson dhe beson se deri në natën e ndërrimit të viteve t’i ketë shitur të gjitha.

E gjithë familja e tij është e angazhuar në këtë punë por kryesisht është ai dhe bashkëshortja e tij që çdo ditë të jetës së tyre e kalojnë duke u kujdesur për këta shpendë. Për ta, më shumë se sa një biznes është një menyrë jetese.

Gjoni tregon se njerëzit janë të interesuar për gjelat e detit nga Zadrima për shkak se rriten vetëm me misër dhe bar. Rritja e tyre tregon ai kërkon shumë punë dhe përkujdesje por edhe ka fitim.

Bardh Jaku është një tjetër fermer i fshatit Mabë. Ai ka një tufë më të vogël prej rreth 70 krerësh e megjithatë i gjithë viti i shkon duke u përkujdesur për rritjen e tyre. “Ne nuk kemi asnjë mbështetje, thotë ai, dhe mungesa e një tregu bënë që ne shpesh t’i shesim edhe me çmime të ulëta”.

Ai e ka nxjerrë tufën e tij buzë superstradës me shpresën se ndonjë kalimtar do të ndalet dhe do të blejë nga tufa e tij. Me gjithë vështirësitë Bardhi tregon se nga viti në vit ka bërë klientelën e tij dhe beson se do arrijë ti shes të gjitha. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh pas datës 31 dhjetor ata që mbeten quhen të shkuara dëm.

Në zonën e Zadrimës janë ngritur disa restorantet të fushës së agro-turizmit të cilët përveç ndikimit që kanë në zonë po përpiqen të fusin edhe një kulturë të re për konsumimin e gjelit të detit edhe në periudha të tjera jo vetëm për festa.

Gjeli i detit është një nga shpendët më të rendësishëm që mbarështohet në zonën e Zadrimës dhe njihet për vlerat e larta ushqyese që përmban.Lezha news

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here