Kapshtica, fshati i varfër që lidh shtetet, por nuk mban dot banorët e tij(video)

0

 

Nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar ose shkelur në pikën kufitare të Kapshticës, si vendi që lidh dy shtetet. Edhe pse mijëra vetë dhe mjete kalojnë andej çdo ditë, fshati me këtë emër është më i varfri në vend, madje një fshat totalisht i braktisur.

I ndodhur vetem 20km larg qytetit te Bilishtit, fshati Kapshticë është braktisur nga të rinjtë. Papunësia dhe varfëria në Kapshticë sic i thonë më të vjetrit të këput shpirtin.

Grupi i xhirimit të Fax News ka udhëtuar drejt fshatit kufitar ku sapo  hyn aty gjithçka duket e shkretë dhe ajo që mbizotëron është vetëm skamja.

Burra të cilët qëndrojnë në qendër të fshatit me shpresën se dikush do të vijë t’i thërrasë për punë.

Teksa i pyesim sesi i sigurojnë të ardhurat ata ngrenë supet dhe thonë se nëse dikur shpresa ishte shteti grek sot ata janë në mëshirë të fatit.

Shtrëngimi i masave nga pala greke ka detyruar fshatarët t’u kthehen tokave, por dhe këtu përballë tyre ata duken të pafuqishëm.Tokat duan mjete të punohen, farëra, plehra,investime, por fshatarët numërojnë qindarkat që nuk u arijnë as për mbijetesë. Shumica e të rinjve punojnë në Greqi dhe me të paktat para që dërgojnë jetojnë prindërit dhe të moshuarit që kanë mbetur në fshat.

Dikur fshati numëronte 400 familje, sot nuk është as një e treta e tyre.

Kapshtica, vetëm pak kilometra nga Bilishti, e bën dhe më të theksuar braktisjen dhe në rrugë hasesh ende me ndonjë, që tenton të udhëtojë drejt Greqisë. Edhe shprehja  “Tutje bre. S’kam me çfarë të ushqej fëmijët. Tutje!” është shprehja që dëgjon tek tuk nga ata që marrin rrugë në dalje të fshatit

Valent Kutrolli, banor i fshatit ka pak kohë që është kthyer nga Greqia, por sic thotë ai fati nuk i buzëqeshi as andej dhe as këtej kufirit.

Në Greqi vite të tëra mblidhte pjeshkë, por pronarët ende nuk e kanë paguar për mundin e tij, kurse këtu në vendlindje ai as këtë punë s'[e bën dot se nuk ka cfarë të mbjell dhe cfarë të vjelë.Familja Kutrolli me 8 anëtare e zhytur në borxhe ka bërë pakt me varfërinë dhe skamjen.

Kjo është Kapshtica fshati ku dominojnë çatitë e vjetra, shtëpitë e pambajtura dhe njerëzit që nuk e kanë harruar eksodin e shqiptarëve, janë gati të emigrojnë sërish.(Ledjona Xheladinaj, Fax News)

 


 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here