Ja si u ngrit industria e verës në Kosovë, ishte në prag falimentimi pas viteve të luftës

0

25 kompani prodhuese vazhdojnë traditën mijëvjeçare të prodhimit të verës në Kosovë. Ky sektor i prodhimit të rrushit dhe përpunimit të këtij produkti ishte shumë i zhvilluar deri në para viteve  90-të. Deri në periudhën e paraluftës, sipërfaqet e kultivuara me vreshta kanë qenë shumë më të mëdha. Në vitin 1988 sipërfaqja me vreshta në Kosovë ka qenë rreth 9,000 ha, ndërsa sot në Kosovë kultivohen 3,117 ha, prej të cilave 769 ha janë me rrush tryeze dhe 2,348 ha me rrush për verë.

Nga viti 2006, me privatizimin e disa ndërmarrjeve si dhe me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë, industria e verës filloi të zhvillohej përsëri dhe ngjalli shpresa te fermerët për perspektivën e kultivimit dhe shitjes së rrushit.

Sot, vreshtaria dhe prodhimi i verës është shndërruar në një ndër sektorët më strategjikë për Kosovën. Historikisht, Kosova ka qenë eksportuese e verës dhe sot jo vetëm që plotëson nevojat e brendshme, por arrin që të eksportojë me sukses edhe në tregjet e rajonit dhe botës. Kësaj i ka kontribuar edhe përkrahja e vazhdueshme këtij sektori nga Ministria e  Bujqësisë përmes subvencioneve dhe granteve, duke ndikuar në rritjen e dukshme të sipërfaqes së kultivuar me vreshta dhe përpunim të rrushit. Në Kosovë, momentalisht janë 25 kompani të licensuara të verës dhe prodhimeve të tjera nga rrushi dhe vera. Tre kompanitë më të mëdha përfaqësojnë rreth 90% të gjithë verës së prodhuar në Kosovë, ndërsa punishte të tjera u takojnë prodhuesve me të vegjël që edhe këto eksportojnë.

“Stone Castle”,në Kosovë njihet si një ndër fabrikat më të njohura dhe më moderne në Evropën Juglindore

Ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e rrushit dhe përpunimit e verës është edhe ndërmarrja “Stone Castle”, ish NBI Rahoveci në Rahovec, e themeluar në vitin 1953.Fabrika në fjalë u privatizua ne 2006 nga një afarist i suksesshëm amerikan me prejardhje nga Kosova ç’ka bëri që  ndërmarrja të shënoje rritje. Investime janë bërë duke filluar nga rivitalizimi e vreshtave ekzistuese, deri te ngritja e vreshtave të reja me varietete të rrushit kulminant, avancimin e teknologjisë së prodhimit të verës, duke i zëvendësuar pajisjet e vjetra me të reja.  Sot, kjo ndërmarrje ka rreth 650 ha vreshta në prodhim, një kapacitet prodhues të verërave prej rreth 30 milionë litrash që paraqet një aset tejet të vlefshëm për sektorin e përpunimt të rrushit në Kosovë . Fabrika “Stone Castle” është një nder më të njohurat dhe më modernet në Evropën Juglindore, me afro 250 të punësuar të rregullt dhe 300 punëtorë sezonalë.

Një ndërmarrje tjetër, po ashtu ndër më të mëdhatë e sektorit të verërave, është Veraria “Bodrumi i Vjetër” – Rahovec. E themeluar në 1953 ajo u privatizua në 2006 duke u pagëzuar me emrin  ‘Bodrumi i Vjetër’. “Bodrumi” është rindërtuar gjatë vitit 2006, gjatë kohës së vjeljeve, me pajisjet e importuara nga Gjermania, Italia dhe Franca për prodhimin e verërave cilësore.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, kosovare, ky vend eksporton verë në Kroaci (56%) dhe Shqipëri (23%). Vendet tjera ku ka pasur më pak eksport janë Sllovenia, Gjermania, Serbia, Bosna dhe Hercegovina e në shumë vende tjera evropiane. Por Kosova eksporton verëra edhe në Amerikë, si dhe në vendet e largëta afrikane, si në Nigeri.

Lajme të ngjashme

Hardhia shqiptare e lashtë sa vetë bota

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here