Investimet për kanabisin mjekësor – Greqia shpreson të rrisë ekonominë përmes tyre

0

Investitorët për projektet e kanabisit mjekësor po përqendrohen në Greqi, e cila karakterizohet nga një klimë e ngrohtë, me diell dhe me legjislacion potencialisht të favorshëm. Kjo mund të ndihmojë qeverinë të japë një premtim për ta nxjerrë vendin nga një krizë ekonomike shtatë vjeçare.

Kultivuesit kanë shprehur interes në investimin e 1.5 mld eurove në projektet për të ndërtuar parqe me sera për kultivimin dhe prodhimin e kanabisit, tha në një intervistë Evangelos Apostolou, ministër i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit.

Kjo do t’i jepte Greqisë një pjesë të tregut global, që sipas qeverisë mund të jetë me vlerë 200 miliardë euro në 10 vitet e ardhshme.

Kryeministri Alexis Tsipras është duke u përqendruar të investimet për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike dhe për të lejuar vendin të dalë nga një program i tretë i shpëtimit. Parashikimet kërkojnë rritje me 2 për qind këtë vit dhe 2.5 për qind në 2018.

Ndërsa vendet si Uruguai dhe disa shtete të SHBA-së kanë legalizuar posedimin e përgjithshëm në shkallë të ndryshme, Greqia nuk ka plane të tilla. Kultivimi dhe shitjet do të jenë vetëm për qëllime mjekësore, tha Apostolou.

“Mijëra familje greke që kanë anëtarë të familjes që vuajnë nga sëmundje të rënda si kanceri dhe sëmundja e Parkinsonit do të jenë në gjendje të marrin kanabis të prodhuar pikërisht këtu, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”.

12 deri në 15 sera kanabis mund të krijojnë 400 vende pune, sipas task-forcës që po përgatit një projektligj për legalizimin e kanabisit mjekësor në Greqi. Papunësia në vend ka qenë mbi 20 për qind që nga nëntori i vitit 2011, një nga nivelet më të larta në Bashkimin Evropian.(Tv Scan)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here