Fermerët shqiptarë sugjerojne si ta zgjidhni gjelin e detit këtë vit

0

Prania e gjelit të detit në tryezat e vitit të ri është duke e kthyer gjithmonë e më shumë në një traditë për shqiptarët. Periudha e festave është në fakt e vetmja kur ka kërkesa për këta shpendë dhe të gjithë konsumatorët rendin në tregje për ta blerë.

Këtë vit, çmimi për kilogram për këtë vit nuk pritet të ketë luhatje të mëdha nga viti i shkuar.

“Çmimi i gjelave te detit deri tani është 750 -800 lekë/kg.Këtë vit sipas njohjeve të mia nuk ka shumë individë që po merren me rritjen e tyre pasi është frika e sëmundjeve dhe riskut a shiten apo jo” tregon për SCAN një nga rritësit e këtyre shpendëve.

 Një nga pronarët e fermave që rrisin gjela deti në Baldushk shprehet se megjithatë nuk ka një çmim stabël, pasi cilësia varion.

“Ka edhe gjela deti regjim stalle të mbajtur me koncentrate. Këtu bie pre popullsia nga çmimi, edhe pastaj nuk del shija siç duan. Ka edhe nga ata që kushtojnë, por të falenderojnë edhe të urojnë pasi e konsumojnë se u shijon shumë edhe lënë porosi për vitin tjetër”, shprehet pronari i fermës.

I rëndësishëm në procesin e blerjes, krahas çmimit më të favorshëm është edhe njohja e species. Për këtë, një rritës gjelash deti nga Zadrima tregon dallimin midis një gjeli deti që është rritur me një dietë të mirë ushqimore dhe njërit të rritur me koncentrate.

“Dallimi kryesor i gjelave bio është tek gusha që është më e varur dhe tek lafsha që e kanë më të kuqe, por edhe nga sjellja e gjelit pasi të rriturit bio janë më të shkathët e të egër, kurse të rriturit me koncentrate janë më të plogësht”, shprehet ai.

Për ata që duan të zgjedhin gjelin perfekt, rritësit këshillojnë t’i blejnë pikërisht në fermat ku rriten. Në këtë mënyrë mund të shohësh edhe hapësirën dhe kushtet, por edhe të përfitosh nga çmime më të lira që variojnë nga 600-700 lekë për kilogram. Janë të shumtë ata që zgjedhin të vizitojnë zonat kryesore si Zadrima në Lezhë, por edhe ato në rrethinat e Tiranës, si Vaqarri, Arbana, Baldushku e me radhë.

Gjithashtu, në zgjedhjen e gjelit të duhur për ju duhet të merrni parasysh edhe madhësinë, që atë ta nxërë furra juaj. Sa i takon peshës, përpiquni mos të merrni më shumë se sa do të hani, përndryshe do t’ju mbetet shumë mish.

A.H./SCAN

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here