Eksportet e açugeve, kërkesë për rritjen e kuotave në BE

0

Flota jonë e peshkimit mund të mos jetë më e madhja, modernia apo mbresëlënësja por duket se ja ka dalë për të mbijetuar. E për t’i dhënë një mbështetje peshkimit në tërësi qeveria e nisi me përjashtimin nga TVSH të rreth 50 artikujve dhe mjeteve të bordeve të anijeve, por impakti kyç duket se do të vijë me skemën e mbështetjes. Ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural  Niko Peleshi në një intervistë për “Monitor” bëri me dije se açugia është a para për të cilën është menduar subvencion dhe që efekti i kësaj lëvizje pritet të jepet në një punësim më të madh.

“Besojmë se këtë vit do të kemi një rritje të mirë dhe po ashtu edhe vitin tjetër, edhe për shkak të mbështetjes së posaçme që duam t’i japim peshkimit. Në skemën kombëtare, ne kemi parashikuar deri tani një subvencion për açugen, pra subvencion për kilogramë të kapura, ndërkohë që duam që përmes këtij subvencioni, të rrisim sasinë e açuges së kapur në mënyrë që pastaj siç kemi filluar negociatat, të rrisim kuotat në Bashkimin Europian, për açugen dhe të shtojmë punësimin, sepse llogaritet që vetëm nga ky subvencion, por duhet ta shohim sesa do të rezultojë e vërtetë, ne do të shtojmë 1 – 2 mijë vende të reja pune. Në takimin që pata me komisionerin e Bashkimit Europian të DG Mare kemi ngritur çështjen e kuotave të açuges. Çështja është që për të marrë më shumë kuota duhet të tregojmë që ne arrijmë të peshkojmë aq açuge sa na kanë përcaktuar dhe nëse e tejkalojmë pastaj kemi mundësi të kërkojmë për më tepër” pohon Peleshi.

E ndërsa pritshmëria është që të rrisim kuotat e açuges, qeveria ia ka dalë vetëm pak kohë më parë të rriste kuotat e tonit, të cilat do vazhdojnë këtë tendencë në mënyrë progresive.

“Negociuam me shumë sukses kuotat e tonit dhe arritëm që pothuajse t’i dyfishojmë nga 57 tonë në 100 tonë kuotat e tonit dhe kjo do të ketë impakt edhe për industrinë dhe për punësimin. Ndërkohë që kemi rënë dakord me Organizatën Ndërkombëtare të Administrimit të Kuotave të Peshkimit për rritjen e kuotave të tonit me 20-30 për qind nga viti në vit deri në vitin 2019, për kuotat e tonit” shprehet ministri.

Industria e peshkimit në vend në pjesën më të madhe të saj është përpunim. Investimet e saj vlerësohen në rreth 39 milionë euro ndërkohë që eksportet e saj janë të orientuara në pjesën më të madhe në vendet e Bashkimit Europian./Monitor

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here