Dy fshatra të Dropullit të izoluar prej 15 ditësh

0

Fshatrat Llongo dhe Koshovicë në Bashkinë e Dropullit janë ende të izoluar pas përmbytjeve të fillim dhjetorit.Ura që i lidhte ata me aksin kryesor u shkatërrua nga rrjedha dhe prurjet inerte të lumit. Rreth 200 banorë që jetojnë në të dy fshatrat malore buzë kufirit me Greqinë kanë pamundësi transporti për të sëmurët, ndërsa vështirësohen shumë për të siguruar ushqime.

Kjo është situata më e vështirë që moti i keq ka shkaktuar ndonjëherë, tregon një tjetër banor. Disa ura u shembën dhe disa segmente rurale u rrëmbyen nga rrjedhat e përrenjve.

“Situata është shumë e vështirë pasi fshati nuk mund të furnizohet. Tani që ra pak lumi futet një makinë ushtarake”, thotë banori Spiro Proko.

Bashkia e Dropullit, që ishte edhe bashkia më e prekur nga dëmet në infrastrukturë, bën me dije se nuk ka mundësi financiare për të ndërhyrë në ringritjen e urës së Llongos.

Mihal Mano, nënkryetar i bashkisë, theksoi: “Gjendja është alarmante. Makinat nuk shkojnë as për ushqim. Unë shkova para dy ditësh dhe ngeca aty. Nuk ke mundësi kalimi”.

Fshatrat Klishar dhe Selo filluan të komunikojnë me rrugën kryesore pas gati 10 ditësh izolimi, ndërsa problemet me rrëshqitjen e dherave, përmbytjen e tokës dhe shkatërrimin e akseve rurale shtrihen në të 14 fshatrat e Dropullit të Sipërm./tch

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here