Biznesi kosovar: Zyrtarë të caktuar në institucionet shqiptare po e pengojnë tregun e përbashkët

0

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK), përmes një njoftimi, ka reaguar ndaj deklaratave se sipërmarrësit nga Kosova janë shkaktarë të mosfunksionimit të tregut të përbashkët Shqipëri – Kosovë.

KPK thekson se individë të caktuar brenda institucioneve të Shqipërisë janë duke e bllokuar funksionimin e tregut të lirë dhe të përbashkët midis dy vendeve.

KPK tregon se prodhuesit e Kosovës përballen me shumë barriera dhe me probleme të nëtyrave të ndryshme kur eksportojnë në tregun e Shqipërisë.

“Duhet të kujtojmë rastet e shumta kur prodhuesve të Kosovës u janë vënë taksa shtesë ose u janë bllokuar mallrat në kufi, si për shembull me rastin e patates, miellit, birrës, barnave, e të tjera’, thuhet në kumtesën e KPK-së.

Prodhuesit kosovarë kundërshtojnë propozimin për zhvendosjen e pikës doganore të Kosovës në Vërmicë / Morinë në Portin e Durrësit, të cilin e quajnë “akt simbolik”, të pavlerë për importuesit kosovarë.

“Kjo zhvendosje e doganës është vetëm një akt simbolik e nuk do të ndikonte në krijimin e një tregu të përbashkët, sepse kjo doganë do të shërbente për futjen e mallrave nga vendet e treta në Kosovë. Përfitimi i vetëm financiar nga kjo zhvendosje do të shkonte vetëm për shpediterët nga Shqipëria, në vend të atyre nga Kosova”, thuhet në kumtesë.

Tregtarët dhe prodhuesit nga Kosova thonë se, në qarkullimin e mallrave me Shqipërinë, ata kanë probleme më të mëdha se “zhvendosja simbolike e pikës doganore në portin e Durrësit”.

Ata tregojnë se këto probleme kanë të bëjnë me procedurat dhe me ngarkesat financiare që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si: pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata e të panevojshme të produkteve, etj., të cilat shkaktojnë vonesa dhe rritje të kostos.

“Këto janë problemet reale, të cilat po ndikojnë në mosfunksionimin e një tregu të përbashkët”, theksohet në kumtesën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

KPK kujton se shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë e Kosovës është shumë i disfavorshëm për Kosovën. Sipas të dhënave në dispozicion, në vitin 2017 Shqipëria eksportoi në Kosovë mallra me vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Kosova eksportoi në Shqipëri mallra me vlerë rreth 35 milionë euro.

KPK thotë se bankat komerciale të Shqipërisë që operojnë në Kosovë kanë fitime të mëdha nga kreditimi i ekonomisë së Kosovës. ndërsa industria e sigurimeve në Kosovë vazhdon të mbizotërohet nga kompanitë e sigurimit nga Shqipëria. /Illyria

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here