BE hap portë informacioni për fermerët e Lushnjës

0

ATA-Fermerëve të Lushnjes iu është hapur një informacioni mbi mundësinë e eksportimit të prodhimeve bujqësore drejt tregjeve evropiane. Pranë zyrave të bashkisë Lushnje prej një muaji është hapur “EU Info Desk”, zyra e informimit mbi projektet e BE-së, në të cilën qytetarët lushnjarë do të marrin informacionin e duhur mbi programet e BE-së, dhe fondet me të cilat ai mbështet zhvillimin vendor në vendin tonë.

BE për herë të parë po punon në nivel lokal duke mbështetur zbatimin e strategjisë së qeverisë shqiptare për decentralizimin, hartuar në vitin 2015, përmes një fondi prej 800 mijë eurosh.
Ambicia e Bashkimit Evropian është rritja e kapaciteteve të qeverisjes vendore për të thithur më shumë fonde.

Nënkryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Teuta Korreshi tha se duke qenë se Lushnja është një vend me prodhim të lartë bujqësor, orientimi i të gjithë stafit të bashkisë është edukimi i fermerëve me standarde, si dhe me informacionin e duhur për të gjetur tregje në BE.

“Kjo kërkon një sensibilizim për fermerin që nga porositja e farave e me radhë në të gjithë procesin për të pasur një bujqësi organike. Pra, fokusi ynë do të jetë edukimi i fermerëve me standardet e BE-së”, deklaroi Korreshi.

Reforma territoriale dhe gjithë ligjet që pasuan këtë reformë, sipas Korreshit, e vuri bashkinë përpara një alternative përqasjeje dhe të afrimit të një filozofie të re në radhë të parë të administratës së saj dhe në radhë të dytë qytetarëve të cilëve ajo u shërben.

Kjo filozofi, sipas saj, është njohja e të gjitha politikave të BE-së që kanë të bëjnë me demokracinë vendore, mjedisin, biznesin dhe gjithçka që përbën jetën e qyetarëve.

“Ndaj ne na duhet një qasje e re për ofrimin me standarde të shërbimeve ndaj qytetarëve nga ana e gjithë administratës vendore dhe në radhë të dytë një edukim qytetar me këto standarde. Sepse të jemi qytetarët e ardhshëm të Evropës në radhë të parë ne na duhet t’i njohim e zbatojmë si qytetarë këto standarde. Zyra është një hap i ri, në hapat që do të ndjekin qytetarët tanë për të gjetur të hapur derën e Evropës të cilën ne e kemi mundësi, aspiratë dhe sfidë. Kjo është sfida jonë e përbashkët, integrimi në Evropë”, deklaroi Korreshi.

Menaxheri i Programit për Qeverisje të Mirë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Orlando Fusco tha se ky është këndi i parë i BE-së dhe se deri në fund të vitit në të gjitha bashkitë do të hapen zyrat e informimit të BE-së.

“Këto janë zyra që do të punojnë personat që janë të specializuar për çështjet e BE-së që do të jenë në dispozicion jo vetëm të administratës së bashkisë, por edhe të shtetasve dhe do të ofrojnë njohuri mbi mënyrat se si do të përdoren fondet e BE-së”, tha Fusko.

Këndi i BE-së merr një rëndësi të madhe pas zbatimit të reformës së qeverisë për pushtetin vendor. “Këndi i BE merr rëndësi të madhe për shkak të reformës së decentralizimit ku bashkitë kanë marrë më tepër kompetenca të reja dhe do të marrin vendime për jetën e qytetarëve. Me afrimin e Shqipërisë në BE do të marrin edhe shumë fonde të tjera dhe është e rëndësishme që Shqipëria ti përdorë këto fonde”, u shpreh ai.

Bashkimi Evropian nuk flet me shifra të qarta se sa janë fondet që qeveria shqiptare nuk ka arritur të përthithë për shkak të mungesës së kapaciteteve të administratës, por Fusco thotë se edhe vende të zhvilluara si Italia nuk arrijnë të përthithin të gjithë totalin e fonde të programuara.

“Nuk mund të them një shifër të qartë se sa projekte humbasin, por unë di të them që nuk është e lehtë të marrësh fondet. Edhe për Italinë, financuese e fondit edhe pas 60 vitesh jo gjithmonë është në gjendje të marrë këto fonde”, shprehet Fusco.

Ndërsa Eriselda Sefa, drejtuese e këndit të BE-së së Bashkisë Lushnje shpjegoi interesin e qytetarëve në këtë kënd gjatë këtij muaji të parë të funksionimit të tij. “Në këtë kënd janë paraqitur qytetarë të interesuar për bujqësinë, se si mund të përfitojnë fonde dhe si mund të eksportojnë mallrat në tregjet evropiane . Të interesuar janë dhe grupmoshat e reja që duan të studiojnë apo të fitojnë bursë nga vendet e BE-së, por ka edhe qytetarë që interesohen rreth institucioneve apo programeve. Ata vijnë në këtë kënd, pyesin dhe ne i informojmë mbi mundësitë”, shprehet ajo.

Lidhur me ndjekjen e informacionit që kërkojnë qytetarët, këndi i BE-së përcjell kërkesën pranë bashkisë dhe bashkia brenda 24 orëve i ofron këndit informacionin e duhur mbi programin e BE-së.

“Ky është një projekt qeverisjeje me elemente të komunikimit, që synon forcimin e kapaciteteve qeverisëse të bashkive lidhur me BE-në, si dhe shtrirjen tek qytetarët shqiptarë dhe administratat vendore me informacion mbi BE-në, mbi politikat, fondet dhe programet e saj”, u shpreh Orlando Fusco, Local Governance.

Projekti do të sigurojë mbështetje për krijimin dhe funksionimin efektiv të një ndërfaqeje midis BE-së dhe Shqipërisë në nivel vendor, nëpërmjet asistencës teknike të siguruar për 61 bashki përmes “Bashkitë për në Evropë”. Këto “sportele të BE-së” do t’u mundësojnë mbështetje bashkive që të forcojnë kapacitetet e tyre, të rrisin dhe të përhapin informacion mbi BE-në, si dhe mbi përfitimet e saj në nivel vendor.

Rrjeti i koordinatorëve vendorë të BE-së, të caktuar nga kryetarët e bashkive mes stafit të tyre ekzistues, tashmë është krijuar, ndërsa bashkitë aktualisht janë në fazën e hapjes së sporteleve të tyre të BE-së.

Impakti i pritshëm i projektit është njohja më e madhe e politikave, institucioneve, programeve dhe fondeve të BE-së në dispozicion në nivel vendor, rritja e advokimit nga popullata për integrimin në BE, kapacitet më i lartë thithës i programeve dhe fondeve të BE-së në nivel vendor, shkallë më e lartë e zbatimit nga njësitë vendore të standardeve dhe praktikave më të mira të lidhura me BE-në që rezultojnë me kushte më të mira jetese për qytetarët dhe rrjedhimisht më tepër fonde./a.gjonaj/ /a.g/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here