Aksioni kundër mishit të pasigurt, u vihet dryni dhjetëra thertoreve. AKU i shemb me gjoba

0

AKU ka shembur me gjoba dhe u ka vënë drynin dhjetëra thertoreve apo njësive tregtare që sipas saj nuk plotësonin kushtet e sigurisë për produktet shtazore. Që prej 14 tetorit kur ka nisur aksioni “rrufe”në gjithë vendin numërohen 94 thertore të mbyllura. E sikur të mos mjaftonte kjo inspektorët kanë ndërhyrë edhe në shtëpi e oborre për parandalimin e therjes ilegale të kafshëve dhe tregtimit të mishit. Katër ditët e fundit janë zbuluar e penalizuar disa subjekte që në mënyrë të fshehtë thernin kafshë dhe i tregtonin në dyqanet e tyre.

Në fshatin Domje të Tiranës inspektorët zbuluan një viç të sapotherrur i cili do tregtohej në një njësi ushqimore të fshatit. Mishi në peshë 206 kg u bllokua, kurse subjekti u gjobit me 25 mijë lekë.

Situata mund të kishte precipituar dhe në përplasje fizike mes një subjekti dhe inspektorëve të AKU në Poliçan të Skraparit. AKU u njoftua nga banorët për therje kafshe të paligjshme pranë një dyqani mishi. Inspektorët ndërhynë, por administratori i dyqanit nuk pranoi të hapte derën. U desh ndërhyrja e policisë , ndërsa brenda dyqanit u zbuluan rreth 110 kg mish gjedhi, 54 kg mish të imtash dhe 9.3 kg mish derri e gjithë kjo sasi pa vulë dhe certfikatë veterinare.

Dy subjekte në Lushnjë u gjobiten me nga 100.000 lek, ndërsa në Gjirokastër u sekuestruan 800 kg mish dhe subjekti u gjobit me 100.000 lek gjobë. Kjo pasi, kafsha ishte therur në thertore dhe mishi ishte i vulosur, por transportohej në rimorkion e një makine e jo në kushte frigoriferike.

Në Fushë-Krujë, një person që tregtonte peshk në kushte të papërshtatshme u bllokua dhe iu asgjësua peshku, ndërsa në bashkëpunim me policinë e shtetit, iu sekuestrua makina e transportit dhe tregtimit të këtij produkti. Po kështu,në Milot, pranë rrugës nacionale, një dyqan-kioskë u bllokua nga AKU, pasi nuk plotësonte kushtet e mbajtjes dhe tregtimit të peshkut.

Pranë Urës së Kamzës Tiranë, një subjekt ka nisur të çmontojë vetë biznesin e tij të bllokuar, pasi nuk ishte në gjëndje të plotësonte kushtet dhe të riniste aktivitetin e tij .Që nga koha e nisjes së aksionit për disiplinimin e therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit, bilanci është si vijon….

-Janë të regjistruara 111 subjekte për therje në të gjithë vendin, nga të cilat 51 thertore dhe 60 njësi therje.

-Janë mbyllur 94 subjekte therje (19 thertore dhe 75 njesi therje)

-Janë konstatuar 16 pika therje ilegale (12 në anekse njësi tregtimi mishi, 4 të paregjistruara nëQKB si dhe 1 në një aneks restoranti)

-Janë inspektuar 272 dyqane tregtimi mishi, ndaj të cilëve janë marrë 241 masa administrative gjobë dhe sekuestrim mjetesh apo/dhe produktesh të pasigurta, ku për 151 prej tyre është marrë masa nderprerje aktiviteti.

-Janë konstatuar 33 të paregjistruara.

Në total, gjatë periudhës kësaj periudhe janë marrë masa administrative si më poshtë: 

-Është konfiskuar në total, 5007,85 kg mish, 1000 kg produkte mishi.Janë marrë 288 masa administrative gjobë.

-Janë sekuestruar mjete pune si ganxha, thika, frigorifer etj.Janë inspektuar 17 subjekte tregtim peshku dhe është bërë konfiskimi i 950 kg peshk.

-Është kryer në bashkëpunim me ARM asgjësimi i  2374.5 kg  produkte (mish,  peshk si  dheproduket të përpunuara mishi) të sekuestruara në Parkun Tiranë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here